×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Një person ia fali tokën për nder të kontributit të Ukshin Hotit- Kjo është deklarata Andin Hotit pas sekuestrimit të pronës nga Prokuroria

    Insajderi
    15 March 2023 - 21:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-deputetit të Kosovës Andin Hoti i është sekuestruar një pronë, kjo pasi Prokuroria Themelore e Pejës ka urdhëruar ngrirjen e mbi 80 parcelave në Pejë, Gjakovë, Deçan, Klinë dhe Istog. Apeli e ka vërtetuar fajësinë e Agron Kelmendit për uzurpim të pronave.

    Kelmendi pronar i një kompanie të patundshmërive në Pejë, kishte bërë dhurata të pazakonta vite më parë. As më shumë e as më pak, ai u kishte falur parcela toke në pesë komuna të rajonit të Dukagjinit

    Në mesin e këtyre parcelave ka të tilla që iu kanë falur personave të njohur si  ish-kryetarëve të komunave, ish-gjyqtarëve, zyrtarëve policorë e artistëve.

    Një nga personat që i është sekuestruar prona është edhe ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti.

    Ai i ka pranuar 3.5 ari tokë në Istog duke i deklaruar si dhuratë në vlerë prej 20 mijë euro.

    Hoti tha se toka i është falur duke dashur ta ndihmojnë familjen e Ukshin Hoti.

    “Në vitin 2014 më është falur toka në sipërfaqe 3.5 ari në Istog, dhe arsyeja e faljes së tokes ka qenë: Dua t’i ndihmoj familjes së Ukshin Hoti. Me sa më është thënë mua, ajo pronë është blerë nga serbët dhe pronari ka dashur ta dhurojë tek disa familje kontribut-dhënëse”, tha Hoti për Express.

    Në prezencën e këtyre rrethanave Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetimin për konfiskimin e pasurisë konform Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

    Prokuroria e Pejës pretendon se të ardhurat e biznesmenit nuk e arsyetojnë këtë pasuri sepse siç thuhet në kërkesën për “Lëshimin e Urdhrit Kufizues Përfundimtar”, të cilën e ka siguruar Express, nga të dhënat e ATK-së, “i pandehuri për bizneset “Agron Kelmendi” BI, me emrin tregtar të biznesit A.P “Kontakti”, për periudhën kohore 2005-2019 ka deklaruar 00 qarkullim”.

    “Për të gjitha këto pasuri, duke vlerësuar gjasat, provohet se të hyrat legjitime të të pandehurit nuk mjaftojnë për blerjen dhe posedimin e tyre, për faktin se i njëjti ka të hyra të deklaruara 00 por posedon pasuri tejet të madhe”, ka deklaruar prokuroria.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark