Një ngjarje makabre ka ndodhur rreth orë 18:00 para repartit të Gjinekologjisë. Dyshohet se ish-burri ka vrarë gruan e tij shtatzënë.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta se burri që vra ish-bashkëshorten është Sokol Halili, nga komuna e Shtimës.
Pas aktit Sokol Halili është arratisur dhe policia ende nuk kanë arritur ta arrestojnë.
Si ndodhi rasti makabër
35 vjeçarja që kishte qenë e shtrirë në klinik ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Ajo iu kishte thënë infermierëve se po dilte deri te kioskat në oborrin e QKUK’së për të blerë gjëra ushqimore.
Pasi kishte kryer blerjet, ajo ishte ulur për të pushuar pak tek ulëset në oborrin e Gjinekologjisë.
Aty ishte shfaqur ish-bashkëshorti i saj, i cili e vrau me armë zjarri.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Në përgjigjen e tyre nuk bëhet e ditur nëse vrasësi është arrestuar.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet ne njoftimin e PK-së.