
Qendërmbrojtësi i Chelseat, Wesley Fofana, ka pësuar një dëmtim të rëndë, këputje të ligamenteve të kryqëzuara, njoftoi klubi anglez i futbollit.
22-vjeçari francez tashmë i është nënshtruar një operacioni dhe po fillon procesin e ngadaltë të rikuperimit. Chelsea nuk tha se kur lojtari do të kthehet në fushë, por është e qartë se ai nuk do të luajë në vitin 2023, madje mund të jetë jashtë fushës së blertë edhe për të gjithë sezonin e ardhshëm 2023/24.
Fofana nuk ka udhëtuar me bashkëlojtarët e tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Chelsea do të zhvillojë turin veror. Mbrojtësi i ri francez iu bashkua Chelseat në fund të gushtit 2022, pasi ‘Blutë’ paguan 80 milionë euro për Leicesterin dhe pritshmëritë për mbrojtësin ishin të larta.
Në sezonin e tij të parë në “Stamford Bridge”, Uesli Fofana bëri 20 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola. Së fundmi, ai ka debutuar edhe për kombëtaren franceze të meshkujve.