×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Letra e hapur e djemve të El Chapos që tenton të ndryshojë lojën e karteleve të drogës

    Insajderi
    05 May 2023 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Djemtë e Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo, ish-drejtuesi famëkeq i kartelit të drogës Sinaloa, kanë mohuar pretendimet e autoriteteve amerikane se ata ishin trafikantët kryesorë që mbushën SHBA-në me fentanil opioid sintetik. Këtë deklaratë djemtë e “El Chapo”-s e kanë shprehur në një letër të rrallë.

    Muajin e kaluar Departamenti i Drejtësisë akuzoi drejtuesit e kartelit Sinaloa për trafikun e fentanilit dhe drogave të tjera. Akuzat iu drejtuan edhe 4 djemve të “El Chapo”-s, i cili aktualisht ndodhet i burgosur në SHBA.

    Reuters shkruan se letra u dërgua në emër të 4 djemve të “El Chapo”-s, të cilët njihen edhe si “Los Chapitos”. Mes tyre është Ovidio Guzman, i cili u kap në Meksikë në Janar dhe pritet të ekstradohet në SHBA.

    “Nuk kemi prodhuar apo tregtuar kurrë fentanil apo ndonjë nga derivatet e saj”, thuhet në letër.

    Letra u shpërnda nga Jose Refugio Rodriguez, i cili ka konfirmuar se është avokati i familjes Guzman. Në letër, djemtë e “El Chapo”-s shprehen se nuk janë drejtuesit e kartelit Sinaloa, por viktima të një fushate keqinformimi ndërkombëtare nga kompani, media dhe personazhe publike që i kanë përshkruar ata si trafikantë të pamëshirshëm droge.

    Letra e tyre erdhi si përgjigje ndaj një konference për shtyp në Uashington ku zyrtarët amerikanë thanë se karteli Sinaloa ishte furnizuesi kryesor i fentanilit në SHBA. Po ashtu, ata thanë se “Los Chapitos” kanë role kyçe në kartel, duke i fajësuar për përkeqësimin e situatës në SHBA për abuzimin me opioidet.

    Meksika dhe SHBA u dakordësuan muajin e kaluar për të shtuar përpjekjet për të ndaluar trafikimin e fentanilit që ka çuar në një rritje të vdekjeve si pasojë e overdozës në Amerikë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark