×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Lëvizjet pro-amerikane të Osmanit që po zbehin “Kurtin e Madh”

    Insajderi
    31 January 2023 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte fundit i korrikut të vitit të kaluar kur përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje përjetuan një gëzim të posaçëm. Kreu politik i tyre ia kishte siguruar vetes një vizitë në Uashington D.C; një fotografi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, shkruan Insajderi.

    Gëzimi merrte përmasa të mëdha në raport me kundërshtarët politikë, aseti më i madh argumentativ i të cilëve ishte largimi nga kursi amerikan i politikës së jashtme të Kosovës pikërisht nga Kurti, dhe në kompenzim të përfytyrimit të vizitës më shumë se dy javore të tij në ShBA e cila kishte përfunduar me një fotografi aspak cilësore diku në shkallët e “Eisenhower Executive Office Building” me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

    Histeria kishte plasur në të gjitha anët e spektrit politik, si nga apologjetika e përkrahësve të pushtetit, si nga kundërshtarët e habitur opozitarë.

    Ishte një psherëtimë lehtësimi për Lëvizjen Vetëvendosje. Më në fund, ata mund “të përgënjeshtronin” opozitarët, dhe atë, vizualisht, duke shpërndarë gjerësisht fotografi të kreut të tyre me Blinkenin.

    Megjithatë, s’kishin kaluar një javë kohë, kur nga takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentes Vjosa Osmani dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, zëvendës/ndihmësi i këtij të fundit bëri të ditur që përveç Marrëveshjes me MCC-në, krerët kosovarë kishin pasur edhe një temë tejet specifike me Blinken.

    Gabriel Escobar, duke folur për median serbe“N1” deklaroi se në atë takim Sekretari i Shtetit u ka thënë Osmanit dhe Kurtit se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “duhet të zbatohet” dhe se për atë çështje ishin “pajtuar”.

    Sot, gjashtë muaj më vonë, Vjosa Osmani, tha se “Gjithçka me Amerikën është e mirë” në dritën e takimit të thirrur nga Ambasada e ShBA’së për të nisur përfundimisht bisedimet për modalitetet e një Asociacioni të mundshëm, shkruan Insajderi.

    Kjo në kohën kur Kurti sinjalizoi definitivisht se Asociacion njëetnik në Kosovë nuk mund të ketë, përçka edhe lajmëroi se Ambasada e ShBA’së as që e ka ftuar në takimin e 31 janarit.

    Albin Kurti i mëshoi këtij takimi si një mbledhim i prodhuar nga insistimi ekskluziv i Gabriel Escobar, i cili, sipas tij, është dashur në Beograd të kërkojë “njohje të Kosovës pavarësisht Presidentit të Serbisë” e jo në Prishtinë “Themelim të Asociacionit pavarësisht Kryeministrit të Kosovës”.

    Sipas kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Escobar, dhe të gjithë ndërkombëtarët që kërkojnë Asociacion, “e kanë barrën e argumentimit”, duke lënë të kuptojë se kërkesa e tyre është e paarsyeshme dhe e paargumentuar.

    Megjithë “pajtimin” që Escobar tha të ketë pasur në Uashington me takimin me Blinken, Osmani miratoi “mirësinë” amerikane ndërsa Kurti kundërshtoi shëndoshësinë e “argumentimit” amerikan.

    Divergjenca Kurti-Osmani me amerikanët

    Vjosa Osmani, qysh në fillim, është paramenduar dhe interpretuar të ketë një afri përzgjedhëse kah amerikanët. Jo nga pakkush në vend, është parë edhe si një neutralizuese e tendencave të supozuara anti-amerikane të Kurtit, shkruan Insajderi.

    Një zbulesë të tillë të një ndarje në raport me qasjen ndaj ShBA-së, Osmani e kishte shprehur edhe kohëve të fundit për çështjen e targave.

    Ishte ora 12:00 e natës nga kur që të nesërmen supozohej të fillonte gjobitja e veturave me targa ilegale “KM, PZ, etj” kur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte lajmëruar se kanë siguruar një shtyrje 48 orëshe të nisjes së zbatimit të këtij vendimi.

    Kjo, siç qe thënë, ishte angazhim ekskluziv amerikan.

    Por, Osmani, në versionin e saj, pas një muaji, tregoi çfarë po bluhej në prapaskenë asokohe, kur mundësia për përshkallëzim ishte më se reale.

    Osmani tregoi se ishte vetë ajo që i kishte kërkuar ambasadorit amerikan që ky i fundit t’i kërkonte kryeministrit kosovar këtë shtyrje 48 orëshe.

    “Pasi që dështoi arritja e marrëveshjes, atëherë unë kam telefonuar menjëherë ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh”, deklaroi Osmani gjatë një interviste në emisionin Rubikon.

    Kërkesën ajo tha se kishte bërë “në një telefonatë me ambasadorin” duke “insistuar që në 48 orësh ta kemi një involvim shumë më të fuqishëm të SHBA-ve”.

    “Ka pasur një diskutim të gjatë” tha Osmani dhe “pas këtij diskutimi shumë të gjatë ai ka marrë përsipër që këtë kërkesë ta përcjellë në SHBA dhe diku pas mesnatës është marrë akordimi nga SHBA për këtë 48 orësh”.

    Krejt kjo, sipas saj, ishte pa dijeninë e Albin Kurtit.

    “Gjithçka që është me amerikanët është e mirë”

    Kjo frazë s’është maksimë e Kurtit, por e Osmanit, e shprehur të marten e 31 janarit.

    Osmani, meqenëse në vazhdimësi ka kundërshtuar Asociacion njëetnik serb në Kosovë, dhe qëndrimi i kahershëm i saj është se ajo mund të jetësohet vetëm në formën e një OJQ-je, pyetur se si e sheh takimin/insistimin e amerikanëve në këtë çështje, u rreshtua kah amerikanët, shkruan Insajderi.

    Vjosa Osmani, e cila në trupën elektorale të saj ka kultivuar një percepsion të një pro-amerikaneje të dedikuar, së paku deklarativisht qëndroi ende aty, edhe në çështje skajshmërisht polarizuese vendore, derisa Kurti, para disa ditësh zgjodhi edhe të vendos në kontrast administratën Biden me vetë Joe Biden.

    Amerikanët e kanë shtënë në dorë çështjen e Asociacionit, për të cilën kanë thënë se do të bëhet edhe “me ose pa” përfshirjen e qeverisë kosovare.

    Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, kohëve të fundit për t’i dhënë kreshendo seriozitetit amerikan rreth çështjes së themelimit të Asociacionit, tha se nëse Kurti nuk pajtohet ai edhe “nuk ka nevojë të pajtohet”, dhe se një “politikan i vetëm në një parti të vetme politike” nuk mund të ikën nga obligimet ligjore ndërkombëtare./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark