15:47 - 17 Mars 2023

Gjykata liron nga qelia nenën lehonë, duke vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit me burg. Diana Kolaveri Hoshi, e arrestuar 8 ditë pas lindjes së një fëmije, nuk do të lërë më të vetëm foshnjën e porsalindur.

Avokati i gruas tha para se të merrej vendimi se kërkonte shtyrjen e afatit të ekzekutimit deri sa fëmija të bëhej 1 vjeç, por edhe pezullim të vendimit të dënimit me burg.

Nga ana e saj, Prokuroria deklaroi se nuk ka qenë në dijeni që gruaja ishte me fëmijë të vogël, sepse vendimi i dhënë nga gjykata për dënimin e saj me gjobë ka qenë i vitit 2022, për më tepër që i ishte dhënë në mungesë.