×
  • Lajme
  • Lajme

    Lista Serbe mohon ta ketë quajtur “kriminel” – Haradinaj nuk heq dorë nga padia

    Insajderi
    25 February 2017 - 18:16

    Arianit Koci, avokati i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se klienti i tij nuk do të heq dorë nga padia kundër Listës Serbe, pavarësisht se partia serbe mohoi ta ketë quajtur “kriminel” Haradinajn, në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

    Lista Serbe u citua sot nga Tanjug të ketë thënë se ish-presidenti kroat Stjepan Mesiq, i cili i uroi lirim të shpejtë ish-kryeministrit të Kosovës, me këtë veprim tregoi fytyrën e vërtetë të lëvizjes së cilës bën pjesë.

    Siç raportonte sot Tanjug, Lista Serbe në një deklaratë të premten, ka thënë se ish-Presidenti i Kroacisë ka qenë pjesëmarrës në shkaktimin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe me rolin e tij ka kontribuar në shkaktimin e vuajtjeve të miliona serbëve, myslimanëve dhe kroatëve.

    Pas kësaj deklarate të Listës Serbe për Tanjug, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se do të ngre padi ndaj partisë serbe. Haradinaj autorizoi avokatin e tij, Arianit Kocin, që të ngre padi kundër Listës Serbe, raporton Insajderi.

    E kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq deklaroi se partia e tij nuk ka bërë një deklaratë të tillë për Tanjug. Ka deklaruar se me AAK-në kanë bashkëpunim të shkëlqyer derisa ka demantuar mediat sa i përket akuzave në drejtim të Haradinajt.

    “Ku e keni marrë këtë?”, është përgjigjur Simic, kur është pyetur se pse i keni thënë Haradinajt kriminel. “Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me AAK-në”, ka thënë Simic, për Indeksonline.

    Megjithatë, pavarësisht mohimeve të Listës Serbe se nuk e kanë bërë ata deklaratën, avokati i Haradinajt Arianit Koci ka thënë se klienti i tij nuk do të heq dorë nga padia kundër Listës Serbe.

    Koci ka deklaruar se reagimi i liderit të Listës Serbe kishte ardhur vetëm pas paralajmërimit të Haradinajt se do ta bëjë padi për shpifje dhe fyerje.

    “Lista Serbe nuk e ka demantuar tekstin deri në momentin kur kemi paralajmëru padi. kjo është arsyeja që ne kemi vendosur që ta padisim Listën Serbe”, ka thënë Koci për Insajderin.

    Stipe Mesiq, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të premten, është takuar edhe me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilëve u dëshiroi lirim të shpejtë të liderit të tyre, Ramush Haradinaj.

    “Unë sot u njoftova me nënkryetarin për çështjet politike në Kosovë, për çështjet ekonomike në Kosovë dhe gjithçka tjetër që ndodhi kohën e fundit në Kosovë. Gjithashtu u informova  dhe më interesonte për shokun dhe mikun tim të ngushtë, z. Haradinaj, situatën e tij, por unë jam i bindur dhe mendoj që shumë shpejt miku im do të kthehet në Kosovë”, tha Mesiq të premten. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark