Milani është një hap më afër fitimit të Skudetos pasi mposhti Atalantën 2-0 në San Siro. Skuadra e Piolit ka dy pikë më shumë se rivali i qytetit, Inter, ndërsa në javën e fundit kuqezinjtë kanë mjaftueshëm edhe një pikë kundër Sassuolos për të fituar titullin.
Milani ka pritur titullin për 11 vjet dhe tani është gjysmë hapi larg kthimit të Scudetto-s në vitrinat e tij. Ditën e djeshme ishte një atmosferë fantastike në San Siro dhe stadiumi ishte i mbushur plot. Në ndeshjen ndaj Atalantës ishin të shumta legjendat e Milanit që erdhën për ta mbështetur këtë skuadër.
Në tribunë ka qenë edhe mbrojtësi legjendar Alessandro Nesta, i cili ka dhënë një deklaratë për mediat italiane para ndeshjes. Por gjatë deklaratës ai ka mbetur i befasuar nga ish-shokët e skuadrës. Fillimisht Ambrosini erdhi për t’i dhënë përshëndetjen Nestas dhe më pas u shfaq Paolo Maldini me të cilin Nesta ishte një tandem fantastik.
Edhe pse të dy kanë kohë që kanë dalë në pension, duket qartë se çfarë respekti ka ende Nesta për Maldinin. Ai ka nisur t’i “përulet” pas përshëndetjes, çka tregon më së miri se çfarë mendon ai për ish-shokun e skuadrës. Një lëvizje e tillë gëzoi publikun italian, që vlerësoi Nestën dhe tha se të gjithë lojtarët e rinj duhet të shikojnë videon për të mësuar se si të respektojnë shokët e skuadrës. /SS/