Luan Krasniqi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci.
Krasniqi ka thënë se vdekja e tij e ka pikëlluar atë, teka ka shtuar se Xhevdet Peci ishte shembull për të.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, sportdashësve dhe të gjithëve që e respektuan këtë boksier të spikatur të Kosovës. Xhevdeti ishte një person i mrekullueshëm dhe mbi të gjitha ishte shembull për mua dhe sportistët e shumtë gjithandej. Mua, meçet e tij më frymëzuan dhe ndikuan që t‘i rrekem sportit të boksit. U prehsh ne paqe, miku im i dashur Xhevdet Peci”, ka shkruar Krasniqi në facebook.
Boksieri i njohur kosovar, Xhevdet Peci ka vdekur dje në SHBA, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare.
Xhevdet Peci, i njohur si “Grushti i hekurt”, ishte një nga boksierët më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Ai ishte shpallur pesë herë kampion me klubin e boksit Prishtina, nën urdhrat e trajnerit Lah Nimani.