×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Lufta në Kosovë- Rrëfimi emocionues i ish- ushtarit nga Struga: U përballëm me mercenarët rusë në malet e Koshares, aty ranë shokët e mi

    Insajderi
    13 November 2022 - 11:26

    “Momenti më i vështirë për mua ishte rënia e shokëve në fushë betejë”, thotë ish-ushtari nga Struga, Artim Elmazi, i cili në mars të vitit 1999 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të marrë pjesë në betejën e Kosharës.

    Në një intervistë për Gazetën Insajderi, ish- ushtari i UÇK-së, Artim Elmazi ka rrëfyer për detaje nga periudha e luftës në Kosovë. Ai ka komentuar edhe gjendjen aktuale politike në vend, derisa thekson se nëse ka luftë është i gatshëm të luftojë prapë.

    Fillimisht, z.Elmazi ka treguar momentin se kur vendosi t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

    “Në UÇK jam kyçur që nga 31 marsi i vitit 1999 nga momenti kur SHP i UÇK-ës e shpalli mobilizimin e përgjithshëm, t’iu them të drejtën isha i gatshëm edhe më herët por kyçja në atë kohë ishte me e komplikuar. Me shpalljen e mobilizimit  ishte çdo gjë e organizuar dhe pas 4 ditësh jam veshur me uniformen e UÇK-ës”- tha Elmazi për Insajderin.

    Ndër tjerash ai ka theksuar se për pjesëmarrje në luftë kishtë të gjithë mbështetjen e familjes së tij.

    Familja e ime dhe farefisi i gjerë kur morën vesh se jam në radhët e UÇK-ës përveç krenarisë që e kishin atëherë edhe sot më kanë mbështetur pa rezerva, sot fëmijët e mi ndihen krenar që prindi i tyre ka kontribuar për lirinë e Kosovës” – tha ish-ushtari, Artim Elmazi.

    Për Elmazin momenti më i vështirë i luftës ishte rënia e shokëve të tij, dëshmorëve Afrim Gashit e Xhafer Lipovicës.

    Ai ka treguar edhe ngjarjet që atij nuk i janë shkoqitur nga mendja. Elmazi kujton datën e 21 majit kur u bombardua posta ushtarake që ishte në duart e UÇK-së.

    “Unë isha në vijë të frontit së bashku më shokët pa ndërprerje që nga dita e parë dhe momenti më i dhimbshëm ishte rënia e dy shokëve të mi, Afrim Gashit dhe Xhafer Lipovecit me 19 maj. Kjo ishte dita kur  forcat tona u përballen me mercenarët rusë dhe me paramilitarët serb në malet e Koshares, poashtu me mbetet në kujtesë edhe data e 21 majit bombardimi i postës ushtarake në Koshare nga NATO, që edhe pse mbarë opinioni dhe NATO e dinte se ky post kufitar i ish- Jugosllavisë e Serbisë ishte në duart e UÇK-ës  që nga 9 prilli ” – rrëfeu ai.

    Tutje, ai rrëfën edhe për momentin e çlirimit të Kosovës.

    “Isha në pozicionet e luftës kur kuptova lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, por luftimet vazhduan deri me 14 qershor, ishte një gëzim i madh por edhe dhimbje qe një pjesë e shokëve nuk e arritën këtë ditë”-tha ai.

    Krejt në fund, ish-ushtari që luftoi për Kosovën, përkundër që jeton dhe vepron në Zvicër, nuk la pa komentuar edhe gjendjen aktuale politike në vend.

    Elmazi madje u shpreh i gatshëm të luftojë, nëse situate përshkallëzohet.

    “Unë vi nga Struga, jetoj e punoj në Zvicër, shpesh jam në Kosovë për t’i vizituar shokët dhe bashkëluftëtaret nga ajo qe dëgjoj nga ta dhe ajo qe shoh me sytë e mi është shumë larg nga betimi dhe nga aspiratat tona kombëtare, nuk do të dëshironim ndonjë luftë por nëse ndodh, përsëri do jem i gatshëm të jap kontributin tim” – përfundoi ai.

    Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark