Komuna e Gjilanit dikur kishte planifikuar në zonën e qytetit të ndërtonte një parking nëntokësor. Por, ky plan ka ndryshuar dhe aty tashmë kanë nisur punimet nga Bashkësia Islame për ndërtimin e një objekti administrativ, për këtë bashkësi.
Ky ndryshim ka ardhur falë një vendimi të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, i cili më 5 qershor 2020, kishte miratuar ndryshimet apo revidimin e pjesshëm të Planit Rregullues Urban “Qendra Zona 1”.
Por, ky vendim po konsiderohet i kundërligjshëm nga qeverisja aktuale e Vetëvendosjes dhe nga qytetarët të cilët thonë se u bë më qëllim që të fitohen vota.
“Sigurisht që motivet, s’janë motive të pastra”, ka thënë drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit Ali Arifi.
Afrim Bajrami, qytetar në Komunën e Gjilanit, thotë se procesi ishte përshpejtuar me qëllimin që të kryhet para sa ta përfundojnë mandatin.
“Ka qenë me fitu vota, edhe njëkohësisht ky proces të kryhet para se të merret mandatit nga kryetari aktual që me një farë formë ta binë kryetarin aktual para një procesi të kryer që mos me mujtë ndoshta me vepru sipas ligjit dhe rrugëve të drejta që janë”
“Qëllimi i partisë ka qenë për me marrë vota, d.m.th. na e dimë që leja është lëshu vetëm disa ditë para përfundimit të mandatit edhe është shfrytëzu qajo boshllëku ose kaosi parazgjedhor ku premtimet janë shumë të mëdha, puna është shumë e vogël edhe bojnë gjithçka për me i marrë do vota prej kujna do që munden”, ka thënë qytetari tjetër, Drilon Brestovci.
Por se kjo pronë i është dhënë Bashkësisë Islame për qëllime të përfitimit të votave e mohon udhëheqësi i grupit të asamblistëve të LDK-së.
“Sigurisht që jo, sigurisht që jo, nuk e kemi nda për vota është nda për interesa të Bashkësisë Islame, për interesa të komunitetit mysliman që në Gjilan janë ndoshta 95 %, qekjo është interesi nuk ka interes tjetër. Përndryshe vota ma shumë ka fitu tjetri…”, është shprehur ai.
Qytetari Brestovci, thotë se edhe qeverisja aktuale ka hezituar të marrë gjitha veprimet e nevojshme për ndalimin e këtij ndërtimi.
“Edhe partia që është në pushtet ka pas një hezitim më bo një, më pas kundërshtim, të këtij punimi shkaku që Bashkësia Islame paraqet një institucion fetar edhe e kanë konsideru si teme të ndjeshme edhe ne njëfarë forme, jashtë kamerave ose jashtë takimeve zyrtare na kanë thanë nuk po kemi çka me ju bo, nuk mujmë më prishë punë më ta”, është shprehur ai.
E përveç hallit se aty po ndërtohet me vendime të kundërligjshme, banoret kanë shprehur shqetësim edhe për mënyrën se si po ndërtohet. Kjo pasi janë dëmtuar shumë pjese të rrugës dhe shkallëve të cilat po i rrezikon qytetarët.
“ Prej fillimit të ndërtimeve ka pas shkelje të mëdhaja procedurale të ecurisë së punës si në aspektin e dëmeve pronësore. Komuna nuk ka marrë masa që duhej të merreshin si sigurimi i pronave të njerëzve, e tjera”, ka thënë Bajrami.
“Rrezikimi është t’u u bo shumë i madh qysh e shihni këtu është bo edhe dom i objekteve edhe i pjesës tjetër që është bo përreth të cilën kurrkush nuk ka marrë përgjegjësi, është njoftu Policia e Kosovës, është njoftu inspeksioni edhe nuk kanë dalë me vleresu ose me pa damin”, ka shtuar qytetari Brestovci.
Në lidhje me këtë, nga Drejtoria e Inspekcionit kanë thënë se kanë inspektuar në vazhdimësi ndërtimet dhe se gjatë muajit mars kanë shqiptuar dy gjoba. Kjo sipas tyre, për shkak të punimeve të ngadalta çka ka quar deri të rrëshqitja e dheut dhe dëmtimit të shkallëve. Për çka thonë se kanë kërkuar që të merren masat e duhura për parandalimin e tyre. /Betimi për Drejtësi/