×
  • Sport
  • Sport

    Luis Enrique dëshiron hakmarrje ndaj Zidane

    Insajderi
    03 December 2016 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Luis Enrique dhe Zinedin Zidan kanë qenë liderë të klubeve të tyre në fushën e lojës, para se të merrnin drejtimin e skuadrës, ku sërish po fitojnë trofe shumë të rëndësishëm.

    Si lojtar, bilancet në “El Clasico” i kanë pozitive, por kreu i pankinës së Barçës duhet të marrë hak për të vetmen përballje në stol me rivalin e Realit, e cila përfundoi me fitoren e këtij të fundit 2-1.

    Trajneri i Barcelonës parashikon zgjedhjet e Zidanit dhe beson se do luajë njësoj si edhe në duelin e kaluar.

    “Ne do përballemi me të njëjtin Real. Janë të mirorganizuar në mbrojtje dhe nuk kanë nevojë për të dominuar në qarkullimin e topit që të jenë të rrezikshëm. Kanë një kundërsulm shumë të shpejtë. Për ne kjo është një duel special, pasi kemi përballë një rival të përjetshëm. Duhet të japim maksimumin që të arrijmë të realizojmë objektivin”, u shpreh ai.

    Sa i përket faktit që kundërshtari do vuajë një mungesë të rëndësishme si ajo e Bejlit, shtoi: “Nuk dua të flas për lojtarët që mungojnë në të dy ekipet. Kalendari që kemi na bën të mësohemi me futbollistë që kanë probleme fizike. Në sulm, Reali ka lojtarë të shkëlqyer”.

    Gjithsesi, katalanasit do kenë fatin që të kenë në dispozicion Andres Iniestën, i cili arriti të riaftësohet në kohë rekord nga dëmtimi. “Rikthimi i tij ka qenë një nga lajmet më të mira të javës, pasi i jep skuadrës më shumë motivim. E kemi kapiten dhe transmeton gjithnjë energji pozitive. Prezenca pranë skuadrës ishte e nevojshme, por tani kemi luksin edhe ta kemi në fushë”, tha Enrike.

    Në fund, ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse kjo sfidë ka rëndësi për titullin kampion, duke ditur edhe diferencën mes ekipeve në renditje: “Nuk është vendimtare pasi mbeten edhe shumë ndeshje deri në fund. Normale që do ketë rëndësi, sepse një fitore e mundshme e Realit i çon ata në një avantazh prej nëntë pikësh. Nga ana tjetër, ne kemi shansin që të ngushtojnë diferencën aktuale”.

    Kreu i madrilenëve pret një sfidë mjaft të vështirë, por që sipas tij është diçka e logjikshme. “Do jetë një ndeshje e komplikuar, shumë e vështirë… Në fakt, është normale të jetë e tillë, pasi kemi përballë një rival mjaft të fortë. E kemi përgatitur mjaft mirë dhe jemi gati. Njerëzit presin një futboll të bukur, ndërsa ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar”, tha francezi.

    Sa i përket mundësisë që një barazim do ishte pozitiv për të ruajtur diferencën, ai deklaroi: “Nuk mendoj asnjëherë për rezultatin duke bërë llogari. Ne luajmë gjithnjë për fitore, pavarësisht se kë kemi përballë. Por, kur është Barcelona, atëherë motivimi është më i madh”.

    Më tej, Zizu komentoi edhe faktin që është një nga tre finalistët për çmimin “Trajneri i Vitit”, së bashku me Ranierin dhe Fernando Santos. “Çdo ditë që kalon është një mësim për mua. Edhe pse nuk kam shumë kohë si trajner, jam mes tre kandidatëve për këtë çmim dhe sinqerisht ndihem i lumtur. Gjithsesi, kam ende shumë vite të tjera që më presin dhe besoj se do përmirësohem më tepër”.

    Zidan analizoi formacionin që pritet të hedhë në fushë kundër Barcelonës dhe rëndësinë e Karim Benzemasë: “E kam të qartë formacionin. Kasemiro është gati, pasi e ka kaluar dëmtimin. Jam shumë i kënaqur, pasi ka rëndësi të madhe në lojën tonë. Nga ana tjetër, të gjithë e dinë se çfarë është i aftë të bëjë Karim. Futbollistë si Ronaldo apo Benzema janë pika referimi në ndeshje të tilla. Në pozicionin e tij të preferuar, ai mund të bëjë diferencën dhe besoj do na udhëheqë te triumfi”.

    Në fund të konferencës, ai u pyet edhe mbi deklaratën e Florentino Perezit, ku tha se do e mbajë përjetë teknikun në Madrid: “Edhe unë dua të qëndroj gjithnjë këtu. Perez ka qenë gjithnjë shumë i dashur me mua. Më mori si futbollist dhe tani më besoi drejtimin e ekipit. E dashuroj këtë klub dhe këtë qytet”.

    Formacionet

    Media spanjolle ka publikuar formacionet e mundshme të Barcelonës dhe Realit në “El Clasico”, duke lajmëruar për një ndryshim të madh te madrilenët. Sipas tyre, Zidan ka vendosur që të ulë në stol Carvahalin dhe Marcelon si lojtarë krahu, pasi kanë mangësi në aspektin mbrojtës. Në vendin e tyre pritet që të luajnë Varan dhe Danilo.

    Ndërkohë, Isko mund ta nisë si titullar, pavarësisht se ka qëndruar për një kohë të gjatë në stol. Vendin e Gareth Bale do ta zërë Lukas Vazquez, ndërsa Benzema do jetë në formacion.

    Nga ana tjetër, Luis Enrique do t’i besojë eksperiencës së Iniestës, i cili u riaftësua nga një dëmtim që e mbajti për gati dy muaj jashtë fushave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark