22:08 - 21 Maj 2022

Ekipi i vashave të Lyon ka fituar për herë të tetë Ligën e Kampionëve, pasi mposhti Barcelonën në finale me rezultatin 3-1.

Në finalen e cila u luajt në Torino, në fushën e Juventus Allianz Stadium, francezët ishin të papërmbajtshme teksa realizuan tre herë brenda 33 minutave të para.

Për t’u veçuar ishte goli i parë i realizuar nga Amandine Henry, e cila lëshoi një raketë nga distanca për të shënuar për 1-0 në minutën e 7-të.

Ada Hegerberg shtoi epërsinë në 2-0 në minutën e 23-të për të treguar forcën e francezeve.

Amerikania Catarina Macario largoi dilemat e fituesit në minutën e 33-të kur shënoi për 3-0.

Krejt çfarë bëri Barcelona ishte një gol në minutën e 41-të me Alexia Putellas Segura, por që nuk mjaftoi.

Lyon e menaxhoi më së miri avantazhin duke iu gëzuar në fund trofeut.