Pa një konfirmim zyrtar të organeve në Mal të Zi, shtetasi i Serbisë, Aleksandar Sinxheliq, ka dalë të martën nga burgu hetues në Spuzhë, pasi, më herët, me vendimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, zyrtarisht u bë dëshmitar-bashkëpunëtor, njofton radiotelevizioni i Malit të Zi.
Sinxheliq nuk do të ngarkohet me veprën penale për sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve. Prokuroria, siç njoftojnë mediet malazeze, bazuar në procedurat ligjore, i ka ofruar mbrojtje të cilën do ta zbatojnë pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë.
Paraprakisht, statusin e dëshmitarit të penduar Sinxheliqit ia ofroi prokurori special shtetëror, Saša Čađenović, pasi vlerësoi se dëshmia e tij mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit dhe se deklarata e tij është e një rëndësi më të madhe nga dëmet me të cilat ngarkohet.
Kjo ishte edhe arsyeja pse Gjykata e Lartë në Podgoricë pranoi propozimin e Prokurorisë.