23:20 - 23 Maj 2023

Fakulteti i Arteve i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës do të jetë nikoqir i edicionit të trembëdhjetë të ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.

“Ura me tri harqe” do të mbahet me datat 25 dhe 26 maj dhe është manifestim kulturor që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimin sa më të madh kulturor të tri qendrave dhe qyteteve të lartpërmendura shqiptare. Zhvillimi i saj bëhet me sistemin e rotacionin dhe në çdo vit njëra nga tri qendrat universitare dhe kulturore është organizatore dhe nikoqire e edicionit. Andaj, edicioni i trembëdhjetë do të mbahet nën nikoqirllëkut e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Dekani i Fakultetit të Arteve në UP, Hazir Haziri, ka njoftuar se gjatë këtij edicioni do të shfaqën, ekspozohen, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri universiteteve shqiptare. Haziri ka shtuar se në këtë vit kemi nderin që urës tonë, t’i bashkangjesim edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.