×
Lamb

Markat nuk egizstojnë – Leposaviqi nuk është Kosovë

Insajderi
27 March 2021 - 22:10

Në këto 10 vitet e fundit, që kur Kosova funksionon si shtet i pavarur me kufijtë e njohur nga më shumnë se 100 shtete të botës, beteja e shtetit ka qenë njohja për brenda shtetit. Nga serbët që nuk e pranojnë Kosovën si shtet. 

Serbët jetojnë dy realitete: atë të Serbisë për Kosovën dhe Kosovën si realitet të ri (por i refuzuar me çdo kusht). Kjo ka bërë që qytetet dhe qytezat e banuara me serb në Kosovë, të jenë qytete paralele. Me tokë dhe zyrtarisht pjesë e Kosovës, por me dokumente si pjesë e Serbisë. 

Gjatë kësaj dekade, si gazetar më ka rënë që të vizitoj dy qytete kryesore të banuara me serb: Graçanicen dhe Mitrovicën e Veriut. Gjithmonë më ka bërë përshtypje dhe nuk e kam kuptuar sesi serbët e Graçanicës, vetëm 10 minuta larg Prishtinës, nuk e vizitojnë kryeqytetin. Sepse për ta Prishtina është një vend që nuk është i tyre. Jo pse, përnime nuk është, por se ashtu u është kumtuar për dy dekada, qysh prej vitit 2000. Në Mitrovicën e Veriut, në qytetin fantazmë, më ka bërë përshtypje gjithmonë sesi një qytet ku as kiosket nuk janë renovuar, kanë mbetur ato të kohës së Rilindjes së komunizmit të Titos dhe Jugosllavisë, është problemi kryesor i vendit. Vetëm së fundmi, u kuptua e vërteta e kësaj: qyteti kontrollohet nga bandat e krimit. 

Por në të dyja këto vendbanime, megjithatë shteti i Kosovës, ka tentuar që të lë shenja të shtetësisë. Në Graçanicë sepse është midis qyteteve të banuar me shqiptar, e në Mitrovicën e Veriut, sepse politika ka kërkuar që të intervenohet. Por tash, u gjenda në një qytezë të re, vendbanim i serbëve: Leposaviqi. 

Edhe pse i vendosur skaj maleve dhe bjeshkëve, mbetjet industriale nga gërryrja e tokës për të nxjerrë zhavor, si përbërsi kryesor i projekteve multi-milionëshe, autostradat e ndërtuara nëpër Kosovës, e deri tek përpunimi i materialeve toksike në rrethinë, e bënë këtë qytet megjithatë, një vendbanim me ajr të ndotur. 

Leposaviqi, 27 mars 2021

Nëse gjatë rrugës kryesore që të qon drejt kufirit në Jarinje, veturat me regjistrime të lëshuara nga Serbia, arsyetohen si automjete që lëvizin nëpër Kosovë por nuk janë të Kosovës, në qytezë: teoria se “mohimi i shtetit është vetëm një tranzit rrugor” bie në ujë. 

Flamujt e Serbisë të vendosur gjithkah. Në qendër të qytezes që ndanë vetëm një rrugë kryesore, gjendet objekti i Komunës. Por Komuna e Leposaviqit duket një komunë e Serbisë. Nejse, më saktë, flamuri i UNMIK-ut që është i vendosur krahas atij serb, tregon se Leposaviqi është komunë edhe e OKB-së. Tabelat orientuese janë të gjitha në gjuhën serbe, bile shumica e tyre janë të kohës së Jugosllavisë. Ato nuk janë ndërruar. Nuk janë ndërruar as tabelat e regjistrimit të veturave që janë në qytezë. Ato janë të gjitha me regjistrim të Serbisë. 

Me euro nuk mund të paguash asgjë. Denari serb është valuta kryesore. E vetmja shenjë e shtetit të Kosovës, është një veturë e Policisë së Kosovës. Por ajo nuk e ndërron faktin se kjo qytezë nuk është e Kosovës.

Njashtu sikurse që markat e gjetura tash, mund të jenë veç një artefakt monedhash, edhe vetura e Policisë së Kosovës në Leposaviq, nuk është asgjë më shumë sesa një artefakt i shtetësisë së Kosovës në një qytezë që veç e Kosovës nuk është. 

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark