Kujdesi i lëkurës së fytyrës kërkon përkushtim. Së pari lëkurën duhet njohur sikurse shpirtin, për të ditur nëse është normale, e përzier, e yndyrshme apo e thatë, si dhe në fund duhet ditur se si duhet përkujdesur ndaj lëkurës varësisht stinës.
Dimri është koha kur kërkon ushqim dhe hidratim shtesë, por përkundër kësaj, gjatë kalimin nga dimri në pranverë lëkurës i duhet gjallërim, që të zgjohet dhe të shkëlqejë.
Prandaj është zgjedhje e mirë që gjithmonë të investoni në përgatitjen e maskave që i përgatitni vet, e pikërisht një si kjo ju pret në këtë artikull. Nëse deri më tani nuk e keni praktikuar, është porosi që të provoni me aplikimin e rregullt të maskave me përbërës natyral.
Kësaj radhe ju propozojmë një maskë që është fantastike për hidratim, shton elasticitetin e lëkurës dhe kthen shkëlqimin pas ditëve të ftohta. Kjo maskë është e thjeshtë për t’u përgatitur, e mund ta përdorni deri dy herë në javë. Për maskën ju nevojiten dy përbërës – avokado dhe trangull.
Përgatitja e maskës:
Trangullin e ftohni në frigorifer, e qëroni dhe e përzieni në blender, por jo për së tepërmi, që të mos jetë shumë i lëngshëm. Avokadon e pastroni dhe e shtypni si pastë. Maskën e aplikoni në fytyrën e pastruar dhe e lini të veprojë për 20 minuta. E shpëlani me ujë të vakët dhe aplikoni krem hidratues.