×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Matthias Nawrat, Sandra Gugić dhe Nava Ebrahimi, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i tretë

    Insajderi
    07 October 2020 - 14:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në edicionin e tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të lexohet proza fiksionale e dy shkrimtarëve të rëndësishëm gjermanë, Matthias Nawrat dhe Nava Ebrahimi, si dhe proza artistike e shkrimtares austriake Sandra Gogiç.

    Matthias Nawrat, i lindur me 1979, është shkrimtar gjerman. Ka studiuar për biologji në Universitetin e Heildelbergut dhe letërsi në Institutin Zviceran për Letërsi në Biel. Për romanin e tij të parë «Ne të dy vetëm», botuar më 2012, ka fituar çmimin Adelbert-von-Chamisso. Romani i tij i dytë “Ndërmarrës”(2014) ishte nominuar për çmimin vjetor të librit gjerman, ndërsa për romanin “Vdekjet e shumta të gjyshit Jurek” kishte marrë medaljen Alfred Döblin.

    Libri i tij i fundit “Mysafiri i trishtuar” ishte i nominuar për çmimin e panairit të librit të Leipzigut në vitin 2019.

    Matthias Nawrat jeton në Berlin dhe është anëtar i PEN-Qendrës në Gjermani.

    Sandra Gugić,e lindur më 1976 në Vjenë, është shkrimtare austriake me prejardhje serbe. Ka studiuar për art në Universitetin e Vjenës dhe shkrimin kreativ në Institutin për Letërsi në Leipzig. Shkruan prozë, poezi, drama dhe ese.

    Është shpërblyer shumë herë për veprën e saj.

    Romani i saj i parë Astronautët, i botuar në vitin 2015, është shpërblyer me çmimin Reinhard-Priessnitz dhe shpërblimin Zyrës së Kancelarit Austriak.

    Në vitin 2019 ka botuar librin e parë me poezi Protokolle të së tashmes.

    Së fundi ka fituar bursën nga Senati i Berlinit dhe bursën Heinrich Heine.

    Romani i saj i dytë Zemërim dhe heshtje është botuar në gusht të këtij viti.

    Nava Ebrahimi,e lindur me 1978, është një shkrimtare gjermane me prejardhje nga Irani. Ka studiuar për gazetari dhe ekonomi në Köln të Gjermanisë. Për romanin e saj të parë “Gjashtëmbëdhjetë fjalë”(2017)  është shpërblyer më çmimin vjetor austriak të librit.
    Në vitin 2020 ka botuar romanin “Parajsa e komshiut tim”, i cili pas botimit ishte në listën e librave më të shitur nga lista e më të mirëve e televizionit publik austriak (ORF).
    Nava Ebrahimi nag viti 2012 jeton ne Graz të Austrisë.

    Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI”, me datat 08 dhe 09 tetor, 2020, organizon edicionin e tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”.

    Në këtë edicion jemi me fat që do ta dëgjojmë dhe do ta shijojmë prozën artistike nga shkrimtarë të vlershëm shqiptarë dhe të huaj, si Adem Gashi (Kosovë), Matthias Nawrat (Gjermani), Amer Tikvesha (Bosnja), Ardian Haxhaj (Kosovë), Stefan Çapaliku (Shqipëri), Bardh Rugova (Kosovë), Durim Taçi (Shqipëri), Sandra Gogiç (Austri), Liridon Mulaj (Shqipëri), Milica Vuçkoviq (Serbia), Nava Ebrahimi (Gjermani) dhe Shpresa Qeriqi (Kosovë).

    Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike do t’i dy mbrëmje leximi dhe një takim letrar me shkrimtarin dhe prozatorin e njohur shqiptar, Virion Graçin. Kështu që, në mbrëmjen e parë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Adem Gashi, Amer Tikvesha, Bardh Rugova, Durim Taçi, Sandra Gogiç dhe Milica Vuçkoviq. Mbrëmja e parë do të mbahet më datën 08 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë. 

    Në mbrëmjen e dytë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Ardian Haxhaj, Stefan Çapaliku, Matthias Nawrat, Nava Ebrahimi, Liridon Mulaj dhe Shpresa Qeriqi. Mbrëmja e dytë do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.

    Gjithashtu, Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” është e nderuar që do të ketë rastin ta organizojë takimin letrar me shkrimtarin dhe njërin nga prozatorët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe, të nderuarin Virion Graçi. Për veprën e këtij autori, me fokusim të veçantë te dy romanet e tij të fundit (“Pëllumbat i vrasin natën” dhe “Dead end”), do të flasin shkrimtarët e njohur shqiptarë Sali Bashota dhe Gëzim Aliu. Ky takim do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 12:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.

    Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe Goethe Institute. Andaj, Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, si organizatore e këtij festivali i falenderon përzemërsisht ndihmëtarët e sipërpërmendur.

    Partner kryesor medial i edicionit të tretë është Gazeta online “Insajderi”, ndërsa partnerë mbështetës medialë janë portali për kulturë “ObserverKult” dhe revista për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie “Akademia”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark