Mërgim Mavraj nuk e mendon largimin nga Shqipëria dhe përfaqësimin me Kombëtaren e Kosovës pas përfundimit të kampionatit europian.
Gjatë një interviste për revistën gjermane “Kicker”, Mavraj konfirmoi se e ndien detyrim moral ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit për të vazhduar karrierën me fanellën kuqezi.
Mbrojtësi ndihet optimist për paraqitjen e Kombëtares në Evropian, në një kohë që jep edhe mendimin e tij për favoritët në Grupin A.
“Gabimi më i madh i rivalëve është të na nënvlerësojnë. Kemi besim të madh te vetja dhe forca e skuadrës. Po punojmë intensivisht për të luajtur rol parësor në Evropian. Franca është favorite në grup, ndërsa Zvicra nuk është më aq e fortë sa ishte me trajnerin Hicfeld”, ka thënë fillimisht Mavraj.
I pyetur për temën e Kombëtares së Kosovës, pas pranimit të kësaj të fundit në UEFA dhe FIFA, Mavraj foli i bindur për zgjedhjen që do të bëjë në vazhdimësi, shkruan gazeta Panorama-sport.
“Gjenerata pas nesh ka për të vendosur të luajë për Kosovën. Personalisht pas 10 vitesh do të luaja për Kosovën dhe jo Shqipërinë. Në situatën aktuale, nuk e mendoj aspak afrimin te Kombëtarja e Kosovës. Kjo është edhe kundrejt mirënjohjes dhe detyrimit moral që unë kam ndaj FSHF-së.
Dëshira ime e madhe është që këto kombëtare të luajnë në një simbol kombëtar, ashtu siç ka qenë gjithë kohës”, ka përfunduar Mavraj.
Ndërkohë, i njohur si një besimtar i devotshëm i fesë myslimane, së fundmi mbrojtësi nuk ka pranuar të veshë fanellën kuqezi që ka të stampuar reklamën e birrës “Peja”.
Mbrojtësi i Kolnit pret me padurim Evropianin, madje në javën e fundit të Bundesligës kërkoi të pushonte, në mënyrë që t’i shmangej ndonjë dëmtimi. Vitet e fundit, mbrojtësi ka vuajtur problemet fizike. /Insajderi.com