14:52 - 25 Qershor 2022

Me rastin e një udhëtimi në New York, Kylian Mbappe ka shfrytëzuar pushimet e tij për të dhënë një intervistë për BFMTV, në të cilën ka rrëfyer objektivat e sezonit të ardhshëm.

E tashmja e PSG-së – “Këtë sezon dhe vitin e kaluar ishim më pak të frikshëm, ishim më pak të papërballueshëm. Ne kemi një objektiv, të frikësojmë sërish në nivel kombëtar, nuk e kemi bërë këto dy vitet e fundit”.

Njohja që ka në New York – “Është fantastike të kesh këtë njohje në mbarë botën. SHBA janë një vend i mrekullueshëm, ku gjithmonë kam dashur të shkoj. Të kesh këtë njohje në një qytet kaq të veçantë sa New York është krenari”.

Çfarë i thonë amerikanët kur e shohin – “Ata tashmë e pëlqejnë shumë PSG-në dhe mendoj se kjo është për shkak të bashkëpunimit me Michael Jordan dhe faktit që kemi yje ndërkombëtarë në skuadër. Ata dinë pak edhe për kombëtaren franceze. Kupa e Botës po afron dhe amerikanët janë gjithashtu të interesuar për këtë ngjarje. Ata ishin të lumtur që qëndrova te PSG. As që e dija që i kisha kaluar kufijtë dhe se shtrirja ime arrinte deri këtu. Francezët janë të lumtur që qëndrova dhe shpresojmë ta fitojmë sërish Kupën e Botës”.

Çfarë përfaqëson New York për të – “Është ëndrra amerikane, është jeta në masë të madhe, është ‘Times Square’… Janë të gjitha këto gjëra, është bota e madhe për mua. Fakti që kam mundësinë të vij këtu dhe të ndihem i njohur është vërtet një privilegj”.

Rëndësia e mesazheve të tij për të rinjtë – “Nuk fshihem kurrë. Në fund të fundit është një shpat i rrëshqitshëm, por unë i mbaj këmbët në tokë kur flas. Nuk dua të luaj vetëm futboll dhe të shkoj në shtëpi. Unë jam një njeri i kësaj shoqërie si gjithë të tjerët, të gjithë kanë një mendim. Natyrisht, zëri im ka pak më shumë peshë për t’u njohur. Personalisht përpiqem të veproj sipas vlerave dhe parimeve të mia”.

Al-Khelaïfi bëri presion që ai të vazhdojë te PSG – “(Qesh) Po, ai është ende presidenti im. Dhe tani kjo punë ka mbaruar, ka mbaruar”.

Al-Khelaïfi theksoi vlerat e tij në një intervistë – “Po, sigurisht që më ka ndikuar, sepse janë fjalë që vijnë nga presidenti im. Është një mesazh që më pëlqen, por ka pasur një PSG para meje dhe do të ketë më pas. PSG ka pasur një identitet që nga fillimi si klub, rreth 50 vite më parë. Unë thjesht dua t’i shtoj njëë faqe të bukur këtij libri të mrekullueshëm”.

Nëse paratë ishin të rëndësishme në vendimin e tij për të vazhduar te PSG – “Mendoj se përtej çdo gjëje tjetër ishte vullneti i klubit. Ishte klubi që e dëshironte këtë, tani e tutje jam vetëm pjesë e këtij projekti. Është një projekt që më është propozuar dhe e pranova. Klubi është mbi gjithçka, mbi gjithë të tjerët, mbi veten time, edhe nëse jam një lojtar i rëndësishëm. Është projekt i klubit dhe nuk është projekti im. Gjërat janë të qarta dhe unë do të kthehem për të bërë atë që di të bëj më së miri: të luaj dhe të shënoj gola”.

Të jesh sërish fitues i Kupës së Botës – “Edhe kjo do të ishte mirë. Kemi ende punë për të bërë, por ky është qëllimi. Është një mundësi e paprecedentë. Mendoj se kjo nuk është arritur, dy tituj Botërori radhazi, pasi njerëzit kanë mundur të shikojnë futboll në televizion. Ka shumë punë për të bërë. Ne nuk jemi plotësisht gati, por kemi disa muaj përpara, kështu që do të arrijmë atje në top-formë, jam i sigurt për këtë”.