×
  • Lajme
  • Botë
  • Insajderi / Ballina 5

    Mbi 11 mijë e 200 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

    Insajderi
    08 February 2023 - 16:24

    Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 11.200 persona.

    Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 8.574 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.662 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.

    Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

    Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e pranoi se ka pasur probleme në përgjigjen fillestare ndaj tërmeteve masive.

    Duke folur për gazetarët në Kahramanmarash më 8 shkurt – rajon që gjendet afër epiqendrës së tërmetit – Erdogan tha se ka pasur probleme me rrugët dhe aeroportet, por shtoi se tani gjërat po përmirësohen dita-ditës.

    Presidenti turk tha se qytetarët duhet të komunikojnë vetëm me autoritetet dhe të injorojnë “provokatorët”, teksa mijëra persona janë ankuar se ka mungesë të burimeve dhe kanë kritikuar zyrtarët për përgjigje të ngadalshme ndaj kësaj fatkeqësie natyrore.

    Ndërkaq, në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

    “Ne pastruam pluhurin dhe e gjetëm foshnjën që kishte ende kordonin e kërthizës, e premë atë dhe kushëriri im e mori foshnjën e dërgoi në spital”, tha një familjar i foshnjës së shpëtuar nga rrënojat.

    Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit.

    Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.

    Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat që 12 vjet.

    Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se ekipet nga 35 shtete tashmë kanë arritur në zonat e prekura nga tërmetet.

    Bashkimi Evropian ka ofruar që të dërgojë mbi 1.200 punëtorë të shpëtimit, përfshirë dy ekipe mjekësore dhe mbi 70 qen të kërkim-shpëtimit.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se deri në 23 milionë persona mund të preken nga fatkeqësia, ndërkaq Gjysmëhëna e Kuqe siriane bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të heqë sanksionet e vendosura ndaj Qeverisë së presidentit autoritar sirian, Bashar al-Assad, për të lehtësuar përpjekjet e shpëtimit.

    Tërmeti prej 7.8 ballësh ishte më i fuqishmi që ka goditur Turqinë që nga viti 1939, kur 33.000 persona u vranë në provincën Erzincan. Mbi 17.000 persona u vranë më 1999 nga tërmeti në këtë zonë, që është një prej zonave me aktivitet më të madh sizmik në botë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark