×
Lamb

Më shumë sesa njëri-tjetrin shqiptarët dhe serbët e urrejnë natyrën

Insajderi
27 March 2021 - 21:24

Një nga aryset që më ka bërë shumë entuziast për këtë udhëtim, ishte natyra e jashtëzakonshme e maleve dhe fushave që përshkruan këtë itinerar të udhëtimit nga Jarinja në Kaçanik. 

Dita e parë dukej nga google maps të jetë një udhëtim mbreslënës skaj lumit Ibër që kalon nëpërmjet fshatrave Jarinje dhe Leshak. Lumi ishte i trubullt dhe shenjat e përmbytjeve ose daljes së ujit nga shtrati i lumit verëheshin gjithkah. Ara të mbuluara nga uji, që lumi Ibër i kishte okupuar, lisa me degë të thyer në mënyrën më të egër të mundshme nga dallgët e ashpëra të Ibrit pas një dimri të gjatë e me plot borë vërehen gjithkund. 

Por është diçka tjetër që bie në sy, në lumin Ibër, e që nuk është pasojë as e dimrit, as e vërshimeve e as ashpërsisë së lumit. Plastika është e varur në secilin lis. Plastika është elementi kryesor edhe në krejt anët e lumit. 

Llastiku dhe mbetjet tjera plastike janë të varura nëpër degët e lisave që duken sikur ndonjë instalacion artistik i natyrës si reagim kundër njeriut si ndotës. Shishe të panumërta të plastikës janë grumbulluar skaj brigjeve. Lumi mund të ketë ecur jashtëzakonisht shpejt, por jo edhe aq shpejt sa të marrë me vete të gjithë atë bërllog nga plastika që banorët e kësaj ane kanë gjuajtur në lum. Ose mbeteje plastike që lumi i ka marrë kur ka dalë nga shtrati. Pamja është tmerruese. Edhe më shumë tmerruese bëhet situata karshi pafuqisë time për ta hequr atë bërllog. 

Ka aq shumë mbetje plastike gjatë këtyre dy fshatrave sa është e pamundur që ta heqësh pa e pasur prapa një ushtri pastrimi. Me një makineri të rëndë. 

Me makineri të rënda ushtarake, politike e kulturoro-sociologjike shqiptarët dhe serbët banorë të këtyre fshatrave nga ku kalon lumi kanë përdorur me vite kundër njëri-tjetrit. Janë vrarë me qindra-mijëra njerëz, është ngulitur një urrejtje mes njëri-tjetrit, por të dy palët, shqiptarët dhe serbët, më shumë se njëri-tjetrin e urrejnë natyrën. Ambientin në të cilin jetojnë.

Ky armik i përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve, është fakti kryesor që tregon se beteja e këtyre dy popujve se kush është më i vjetër në këto troje, është aq absurde sepse dështon qysh në hapin e parë: kujdesi ndaj këtyre tokave. Nëse vazhdohet kështu, këto toka, shumë shpejt, do të jenë toka të plastikës. Plastika e përdorur nga shqiptarët dhe serbët do të jetë “populli autokton”. 

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark