‘Me kalimin e viteve Superliga e Kroacisë mund të mburret me disa kosovarë të mëdhenj’, fillon artikulli i shkruar nga mediumi i famshëm kroat, Vecernji.hr. Këtu përmenden disa nga lojtarët ‘dardan’ që luajnë dhe kanë luajtur viteve të fundit në Kroaci si Amir Rrahmani, Emir Sahiti, Fidan Aliti e të tjerë.
Artikulli në fjalë i kushtohet më shumë sulmuesit të Mura, Mirlind Daku, i cili në Slloveni luan si i huazuar nga klubi kroat, Osijek. Siç e dimë 24-vjeçari kosovar po kalon momente të jashtëzakonshme në elitën e futbollit slloven.
Gazeta kroate fillimisht shkroi për Amir Rrahmanin se si arriti nga Dinamo Zagreb të kaloi te Napoli dhe në fund morri edhe shiritin e kapitenit në Kombëtaren e Kosovës.
Pastaj vazhdon për Emir Sahitin për të cilin thuhet se ”erdhi si një i ri premtues dhe i përmbushi pritshmëritë në Hajduk Split.”
”Arbër Hoxha nuk pati shanse te Lokomotiva dhe sot po shënon gola për fanellën e Slaven Belupos. Megjithatë, jo të gjithë ia dolën mbanë në ligën kroate, për të bërë karrierë më vonë.”
”Për shembull, Fidan Aliti i cili nuk luajti mirë te Slaven Belupo, tani është afër 50 paraqitjeve për Kosovën dhe po luan mirë në Zurich të Zvicrës,” thuhet nga Vecernji.hr, ndërsa flitet edhe për dy futbollistët e tjerë të Kosovës, Toni Domgjoni dhe Lirim Kastrati.
Tutje, përmendet karriera e viteve të fundit Mirlind Dakut i cili nga Llapi ishte transferuar te Osijek në korrik të 2018 për një shumë prej 60 mijë eurosh.
Ai pasi kaloi një sezon te ekipi i dytë i Osijek, u huazua te Kukësi e sezonin tjetër te Ballkani për t’u rikthyer në vitin 2021 sërish te Osijek, transmeton Gazeta Metro.
”Në ekipin e parë iu bashkua Nenad Bjelica (ish-trajneri i Osijek), por aty sezonin e kaluar disa sulmues të tjerë ishin në plan të parë si Ramon Mierez, Mihret Topçagic dhe Antonio Mance. Daku luajti vetëm 404 minuta zyrtare gjatë atij sezoni dhe u shfaq në 16 ndeshje dhe shënoi katër gola.”
”Bjelica padyshim arriti në përfundim se nuk do të kishte vend për të, kështu që në shkurt u dërgua në huazim për një vit e gjysmë në Slloveni te Mura. Ishte një lëvizje e madhe për kosovarin, por jo për Osijekun, sepse lind pyetja nëse ata mund ta kishin shfrytëzuar formën e tij të madhe golashënuese, të cilën ai po e shijon aktualisht,” shkruan ndër të tjerash mediumi kroat.
24-vjeçari kosovar është golashënuesi më i mirë në ligën sllovene me dhjetë gola të shënuara në 12 ballafaqime.
Në çfarë forme të mrekullueshme është Mirlind Daku vërehet edhe nga fakti se në katër ndeshjet e fundit Mura ka realizuar dhjetë gola dhe gjashtë prej tyre kanë ardhur falë ‘bomberit’ kosovar./gazetametro.net