×
  • Lajme
  • Lajme

    Mes territ dhe vdekjes -Skandalet e javës që shteti zgjodhi t’i injorojë

    Insajderi
    30 July 2017 - 22:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vetëm gjatë kësaj jave ndodhën tri skandale. Asnjëra prej partive politike që synojnë pushtetin pas 3 gushtit nuk e ngrit zërin për t’i vlerësuar si të tilla. Disa vetëm i përmendin kalimthi nëpërmjet ndonjë komunikate për media dhe vazhdojnë qetësisht kacafytjet për çështje triviale.

    Tri skandalet e kësaj jave janë konfirmimi se Kosova do të mbesë për dy javë pa energji elektrike, dhënia e insulinës eksperimentale pacientëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe vdekja e katër personave të një aksidenti të shkaktuar nga mungesa e dritave rrugore.

    Kolapsi energjetik

    Kosova llogaritet si vendi që fle mbi thëngjill, por të enjten drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, i ka thënë Reuters se KEK-u ka vetëm edhe dy javë rezerva të shfrytëzueshme të thëngjillit.

    E për të nxjerrë thëngjillin e pashfrytëzuar, KEK-u duhet të marrë në shfrytëzim 52 hektarë të pronës private në të cilën jetojnë pronarët që kërkojnë më shumë para për rivendosje.

    Kolapsin energjetik mund ta sjellin 8 shtëpitë e ndërtuara në mënyrë ilegale, sipas Gjukës, të cilat janë të vendosura në zonën ku planifikohet të bëhet nxjerrja e thëngjillit. Sipas tij, askush nuk banon në ato shtëpi por personat që kanë ndërtuar ato e kanë bërë vetëm për të pasur përfitime personale.

    Ndërsa, Qeveria e Kosovës nuk e ka adresuar me sukses këtë problem që kishte nisur të zgjidhej që në vitin 2013.

    Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, më 21 korrik, ishte miratuar vendimi për shpronësimin e pronave, por kryeministri në largim, Isa Mustafa, kishte thënë se kjo nuk do të bëhet në kohë dhe njëkohësisht kishte dhënë disa arsye:

    Mos bërja e shpronësimeve me kohë, masat ligjore të cilat nuk janë përmbushur dhe vetë pronarët e tokave të cilët kanë vonuar kryerjen e proceseve ligjore.

    Përderisa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se “furnizimi me energji elektrike është një çështje që po trajtohet me seriozitet nga ana e Qeverisë”.

    Por deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këto parregullsi dhe nuk ka ndodhur asnjë suspendim apo largim nga puna.

    Furnizimi me insulinë të dyshimtë

    Skandali i dytë ka të bëjë me shëndetësinë në Kosovë, që llogaritet si më e dobëta në Evropë.

    Një insulinë e dyshimtë ishte ridërguar për analiza të mëtejme pas ankesave të mjekëve. Kjo insulinë e dyshimtë ishte dërguar të mërkurën për analizë pasi ishte përdorur më shumë se një vit e gjysmë nga pacientët kosovarë.

    Insajderi kishte kontaktuar Luan Golën, i cili kishte thënë se në nëntor të vitit të kaluar ishte ankuar për shkak se siç kishte thënë ai se insulina e re biosemilare është e ngjashme me insulinën humane por efekti është krejt diçka tjetër.

    Përderisa, Bardhyl Gashi, tjetër endokrinolog para komisionit kishte thënë se “qytetarët tonë nuk do të duhej të ishin shtazë eksperimentale”.

    As për këtë askush nuk ka marrë përgjegjësinë dhe nuk ka pasur ndonjë shkarkim apo suspendim nga puna.

    Aksidenti që la të vdekur 4 persona të një familjeje

    Rasti tjetër për të cilin askush nuk është ndëshkuar, është vdekja e katër personave në një aksident rrugorë.

    Katër anëtarë të familjes Alidemaj humbën jetën, vetëm njëri shpëton, në rrethin në hyrje të Prishtinës, pasi makina e tyre thyen rrethojat e sigurisë duke rënë disa metra poshtë.

    Shkaktar të aksidentit fatal e kishin bërë shpejtësinë e lartë, por më vonë policia konfirmon se ndriçimi publik në momentin e aksidentit nuk kishte qenë funksional. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark