×
  • Lajme
  • Lajme

    Mesazhi i Kurzit në Kosovë – ende punë për viza e ushtri dhe pro idesë së Thaçit

    Insajderi
    06 November 2018 - 13:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vizita e kancelarit, Sebastian Kurz në Kosovë u përcoll me mesazhe të qarta. Doli haptas pro idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve, kurse foli me skepticizëm për liberalizimin e vizave dhe krijimin e Ushtrisë.

    Pas Beogradit, Prishtina ishte ndalesa e radhës e kancelarit Kurz. Në turin e tij nëpër vendet e Ballkanit, Kurz kërkoi raporte të mira fqinjësore ndërmjet shteteve.

    Por nga Prishtina ai pati mesazhe të qarta sa i përket idesë së propozuar nga Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kancelari austriak në konferencë me presidentin e shtetit, tha që Austria mbështetë çdo llojë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Duke specifikuar madje edhe mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet dy shteteve.

    “Qeveria Federale e Austrisë pajtohet me cilin do marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse dy vendet arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve askush nuk do ta kundërshtojë atë”, ka deklaruar Kurtz në konferencë për media në Prishtinë, raporton Gazeta Insajderi.

    Kurz nuk shpëtoi pa u pyetur nga gazetarët edhe për liberalizimin e vizave.

    Kancelari austriak tha se ende ka dilemma te disa shtete të Evropës. Madje nuk pranoi të jap as data.

    “Këtu ka pasuar një vendim pozitiv nga komisioni evropian, por gjithashtu edhe Këshilli i Evropës duhet të votojë, aty ka më shumë vende të Evropës këtu jam më i kujdesshëm për shkak të skepticizmit të disa vendeve të cilat mund të mos e përkrahin liberalizimin e vizave për kosovarët”, ka thënë Kurz.

    Përkundër se Kuvendi ka votuar në lexim të parë projektligjet për Ushtrinë, për këtë temë kancelari austriak kërkoi më shumë dialog.

    Ai tha se në lidhje me transformimin e FSK-së ka nevojë për më shumë kujdes, pasi paralajmëroi se mund të ketë destabilizim.

    “Sa i përket Ushtrisë së Kosovës jemi skeptik. Presim që këtu të ketë një dialog të rregullt më të gjithë partnerët ndërkombëtar sepse ka shumë nevojë për më shumë kujdes. Presim që në rajon të merrem masa që ofrojnë më shumë stabilitet dhe jo që çojnë në destabilizim”, është shprehur Sebastian Kurz.

    Por ndryshe nga takimi i parë, Kurz nuk e tha asnjë fjalë për kufijtë para kryeministrit Haradinaj.

    Vetëm tha se shteti austriak mbështetë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “E përkrahim fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet të përkrahët ky dialog sepse është çështja kryesore për perspektivën tuaj në anëtarësimin në BE”, ka thënë Kurz.

    Para se të takohet me Thaçin, kancelari i Austrisë ishte takuar me të parin e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq.

    Edhe nga ai kishte kërkuar një marrëveshje me Kosovën, që sipas tij garanton stabilitet dhe paqe në Ballkan. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark