Një burrë u vra dhe tre të tjerë u plagosën të shtunën në atë që autoritetet thanë se ishte një sulm meteori në një kampus kolegji, në shtetin jugor indian të Tamil Nadu.
Një objekt i paidentifikuar ka bërë një gropë katër pëllëmbësh të thellë pasi ra në afërsi të një lokali brenda kampus kolegjit inxhinierik të Bharathidasanit, të shtunën rreth orës 12.30 pasdite. Këtë e ka konfirmuar G.Baskar, drejtor i kolegjit indian.
“Ishte një zhurmë madhe, sikur një eksplodim i madh”, tha Baskar. “Ishte aq zhurmë e madhe sa që mund të dëgjohej së paku 3 kilometra larg”, shtoi ai.
Shpërthimi i fuqishëm i theu dritaret e klasave dhe xhamat e automjeteve të parkuara në afërsi. Studentët në kolegj u dërguan menjëherë në shtëpi dhe klasat u pezulluan deri të mërkurën.
Baskar i cili e pa meteorin të binte në tokë, tha se ai kishte një ngjyrë të kaltër në të zezë. Kamaraj, që drejtonte autobusin e kolegjit, ishte duke ecur në afërsi të vendit ku goditi objekti. Ai pasi mori disa lëndime nga incidenti, vdiq të shtunën.
Tre njerëz të tjerë, përfshirë dy punëtor të parkut në kampus dhe një student mbetën të lënduar pas incidentit.
Jayalalithaa, kryeministrja e shtetit Tamil Nadu, tha në një konferencë për media se Kamaraj vdiq të shtunën pasi një meteor ra brenda kampusit të kolegjit. Ajo nuk dha hollësi se çfarë i ka bërë autoritetet të besojnë se ajo vrimë ishte shkaktuar nga një meteor.
Meteori është një pjesëz e vogël e një komete ose asteroidi që kalon rreth diellit. Pra, një meteor është një meteoroid që i mbijeton hyrjes në atmosferë dhe bie në tokë, sepse shumicën e rasteve kur një meteorid futet në atmosferë merr flakë dhe nuk arrin të godasë tokën.
Kjo mund të jetë hera e parë që një njeri është vrarë nga një meteor, nëse konfirmohet që ajo goditje ka ardhur nga një meteor.