×
  • Lajme
  • Lajme

    “M’i përsëritke fjalët gjatë diktimit…”, arsyetimi i mësimdhënësit që rrahu brutalisht nxënësen në Viti

    Insajderi
    24 November 2021 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit Hasan Rama, i cili dyshohet se rrahu brutalisht një nxënëse 13-vjeçare të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”. Pamjet e kësaj ngjarje skandaloze i publikoi ekskluzivisht Sinjali ku më pas edhe u ndërmorën veprime nga Policia dhe Prokuroria. Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën ndaj mësimdhënësit Hasan Rama dhe ju sjellë detaje. 

    Sipas Prokurorisë, mësimdhënësi Hasan Rama, më 1 nëntor, në orët e gjashtë të mësimit, brenda klasës në shkollën fillorë “Dëshmorët e Vitisë”, duke  e keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, ka keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e nxënëses 13-vjeçare (emër i njohur për redaksinë).

    Çka ka deklaruar mësimdhënësi Hasan Rama?

    Mësimdhënësi Hasan Rama, 61-vjeçar, në deklarimin e tij në Prokurori ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi nxënësja nuk kishte qenë e disiplinuar kur ai ka diktuar në orën e biologjisë dhe sipas tij e njëjta ia ka përsëritur fjalët.

    “Kam dëgjuar një zhurmë të madhe në klasë, të jashtëzakonshme nga hera e tjera dhe kjo më ka penguar mua, sepse unë mbaj disiplinë në klasë, e përderisa të gjithë merrnin shënime gjatë diktimit tim, nxënësja në fjalë m’i përsëritke fjalët e mija dhe pengonte orën mësimore. Ajo mbante një çantë afër vetes, mbi bankë, kur ju afrova për të ia hequr çantën, kisha dorën lartë, ajo dëshironte të dilte nga klasa dhe e kam kthyer përsëri në bankë”, ka deklaruar ai në Prokurori.

    Ai e ka pranuar se e ka goditur nxënësen, duke e quajtur këtë veprim si gabim.

     “Po e kam goditur nxënësen vetëm një herë dhe mendoj se është gabim të përdoret forca, si dhe për këtë çështje jam penduar shumë. Pasi më është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, më ka thirrë babai i saj asaj dite, më ka kërkuar falje, por edhe unë i thash që unë jam ai që duhet t’i kërkoj falje nxënëses“, ka shtuar ai.

    Deklarimi i nxënëses

    Nxënësja (emër i njohur për redaksinë) po ashtu ka rrëfyer momentin kur mësimdhënësi i saj e ka goditur, ashtu siç shihet në pamje, duke shtuar se raste të tilla më parë nuk kanë ndodhur.

     “Atë ditë ka qenë ora e fundit dhe arsimtari i Biologjisë Hasan Rama më ka goditur me dorë, në dy faqet, ma ka gjuajtur çantën për banke dhe pastaj më ka goditur. Desha të largohem nga ora, por ai nuk më la, duke më ndaluar dhe më shtyrë me duar dhe më çka jam përplasur për karrige. Ai nuk më ka rrahur më parë, në orën e ardhshme pas asaj dite më ka kërkuar falje”, ka thënë ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark