Asnjëherë nuk është shumë vonë për të lënë një pasardhës. Këtë e ka dëshmuar solisti i grupit të famshëm të “Rock”-ut “Rolling Stones”, Mick Jagger, i cili është bërë baba për herë të tetë në moshën 73-vjeçare.
Foshnja erdhi në jetë nga e dashura e tij, balerina amerikane Melanie Hamrick, e cila është vetëm 29 vjeç. Fëmijët e tij më të mëdhenj, të cilët i ka nga lidhjet e mëparshme, janë nga moshat 17 deri në 45 vjeç.
Jagger shquhet se ka pasur shumë raporte në jetën e tij private. Edhe fëmijët i ka me 5 gra të ndryshme: me Marsha Hunt, Bianca Jagger, Jerry Hall, Luciana Gimenez Morad dhe së fundmi me balerinën 29-vjeçare Hamrick.
Mick Jagger, ndër të tjerash është edhe stërgjysh. Ai u bë me stërnip në vitin 2014, ndërsa ka 5 nipër dhe mbesa. Burime të afërta me familjen e këngëtarit tregojnë se, prindërit e foshnjës janë mëse të lumtur për ardhjen në jetë të djalit, por ata kërkojnë që mediet të respektojnë privatësinë e tyre.
Mick Jagger nuk është shkëputur as nga muzika. “The Rolling Stones”, së fundmi kanë publikuar albumin “Blue & Lonesome”.