×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

    Insajderi
    13 October 2020 - 08:39

    Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin Migjeni ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

    Ai konsiderohet ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit 20. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

    U lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

    Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike, dhe me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, ka dhënë një ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

    Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

    Ndikimi mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur ai shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

    Migjeni ndërroi jetë më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e tij u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark