×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri i Drejtësisë me pasuri milionëshe në qeverinë Haradinaj

    Insajderi
    10 September 2017 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Abelard Tahiri, ministri i zgjedhur i Drejtësisë nga PDK, ka deklaruar pasuri familjare dhe personale prej 1 milion e 78 mijë eurove (1.078.000) në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2017.

    Në AKK, Tahiri ka deklaruar tri shtëpi banimi, një lokal afarist dhe një parcelë tokë, raporton Insajderi. Të gjitha këto pasuri të paluajtshme, ministri i Drejtësisë i ka deklaruar në emër të tij.

    Abelard Tahiri ka deklaruar një shtëpi banimi prej 330 metrave katror, me vlerë prej 360 mijë eurove. Tahiri ka sqaruar në AKK prejardhjen e parave për blerjen e kësaj shtëpie në vitin 2012.

    “Ndërtimi i shtëpisë është financuar nga shitja e tokës në Fushë Kosovë dhe nga biznesi familjar”, thuhet në shpjegimin e dhënë nga Tahiri në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

    Ndërsa, shtëpinë tjetër të banimit me 250 metra katror, që Tahiri e ka të deklaruar në emër të tij, thotë se e ka blerë nga kursimet e biznesit familjar dhe shitja e një banese. Kjo shtëpi është deklaruar në vlerë 150 mijë euro.

    Ministri në qeverinë Haradinaj, i cili më parë kishte shërbyer për disa vite si këshilltar i ish-kryeministri dhe presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar edhe një lokal afarist me 300 metra katror, me vlerë 250 mijë euro. Këtë lokal të blerë në vitet 2001-2002, Tahiri ka sqaruar se është blerë nga kursimet familjare.

    “Kursime nga biznesi familjar në vitin 2000 dhe shitja e shtëpisë, 1500 marka”, thuhet në sqarimin e Tahirit për prejardhjen e pasurisë për blerjen e lokalit afarist.

    Ndërkohë, Tahiri ka deklaruar edhe një parcelë tokë prej 52 ari, të blerë në vitin 2017. Këtë parcelë tokë, ministri kosovar thotë se e ka paguar pjesën më të madhe, derisa i ka mbetur borxh edhe 8 mijë euro blerësit.

    Tahiri ka sqaruar edhe prejardhjen e parave për blerjen e kësaj toke.

    “Ndërrimi me tokë 44 ari, 30 mijë euro nga shitja e parcelës, 30 mijë euro kredi. 161 mijë euro kursime nga paga, 7 mijë e 900 euro nga shitja e veturës dhe 8 mijë euro borxh blerësit”, thuhet në sqarimin e Tahirit në AKK.

    Pas deklarimit të shtëpive dhe parcelës së tokës me mbi një milion euro vlerë, Tahiri ka deklaruar edhe ndërtimin e një shtëpie malore. Kjo shtëpi, sipas Tahirit ka vlerë prej 30 mijë eurove.

    Kjo shtëpi, që është në emër të Tahirit, sipas tij është trashëgimi familjare dhe është financuar pjesërisht nga kursimet e tij.

    Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është deklaruar edhe paga vjetore që Tahiri e merrte në kohën sa ishte këshilltar i Hashim Thaçit. Ai kishte një pagë prej mbi 22 mijë eurove në vit. Po ashtu, ai ka deklaruar se merrte nga 2 mijë e 900 euro nga mëditjet në Presidencë. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark