22:04 - 09 Mars 2023

Ministri i  Mbrojtjes, Armend Mehaj, është fotografuar me sekserin, Refki Mecini që dyshohet për ryshfet 70 mijë eurosh. Mecini ishte arrestuar në nëntor të vitit 2022 pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “ Marrja e ryshfetit” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”.

Mecini gjatë ditës se sotme ka qëndruar pranë ministrit Mehaj dhe ish-kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari.

Fotografinë krah për krah me ministrin e ka publikuar vetë Mecini në profilin e tij në “Facebook”. Ministri Mehaj, Refki Mecini dhe Bekim Jashari shihen duke bërë shqiponjën bashkë.

Kush është Refki Mecini?

Mecini dyshohej se ka kryer veprën penale “ Marrja e ryshfetit” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”, shkruan Insajderi.

Ai dyshohej se ka marrë ryshfet rreth 70.000 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

Mecini se së bashku me Zijadin Gecin dhe Arbër Xeni dyshohet se kanë ndihmuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë para ryshfet për të lëshuar më pas pëlqime mjedisore në vikend zonën e Brezovicës.

“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës. Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e PTHF.

Policia edhe në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022 kishin kontrolluar dhe bastisur shtëpinë e Refki Mecinit por i njëjti nuk ishte gjetur aty.