×
  • Sport
  • Sport

    Ministria investon në palestra të reja, por dy nuk i ka përfunduar qe 10 vjet

    Insajderi
    03 April 2017 - 19:27

    Dy palestra të sporteve në Istog e Rahovec, të cilat kishin nisur para rreth 10 vitesh kanë mbetur të papërfunduara sot e kësaj dite, por kjo nuk është pengesë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve që të ndajë mjete për ndërtimin e palestrave të tjera.

    Sot, Ministria e Sportit nënshkroi një memorandum të bashkëpunimit me Komunën e Fushë Kosovës për ndërtimin e palestrës së sporteve në Fushë Kosovë.

    Memorandumi ka për qëllim mbështetjen financiare për “Ndërtimin e Palestrës Sportive në Komunën e Fushë Kosovës” e cila do të implementohet prej 2017-2019. MKRS-ja e mbështet projektin me vlerën financiare prej 1 milion e 400 mijë eurove.

    Ndërkaq, 150 mijë eurot e tjera do të financohen nga Komuna, raporton Insajderi.

    Ministria e cila udhëhiqet nga Kujtim Shala po ballafaqohet me problematika në infrastrukturë. Sidomos pas pranimit të Kosovës në organizatat botërorë të futbollit dhe basketbollit.

    Edhe pse dy palestra në qytetet e Istogut dhe Rahovecit kanë më shumë se nëntë vite që kanë nisur të ndërtohen, e nuk kanë përfunduar ende, Ministria e Sportit vazhdon të ndajë mjete për ndërtimin e palestrave të tjera.

    Në Komunën e Rahovecit, palestra e sporteve ka filluar të ndërtohet para 10 vjetësh, por nuk ka përfunduar ende. Ndërtimi i kësja palestre ka mbetur vetëm premtim elektoral.

    Sipas një njoftimi të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në shtator të vitit të kaluar, ministri Shala kishte thënë se palestra e Rahovecit është një nga investimet më të mëdha të sportit kosovar.

    “Ministri Shala u shpreh se ky është një nga investimet më të madh që lidhet me sportet kolektive në Kosovë, në të cilin projekt, në total, investimi i Qeverisë së Kosovës do të arrijë rreth vlerës 2 milion e 700 mijë euro”, thuhej në komunikatën e MKRS-së.

    Nga neglizhenca e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, klube të ndryshme rrezikojnë të shuhen në Rahovec. Mospërfundimi i kësaj palestre ia ka larguar edhe sponsorin kryesor Klubit të Basketbollit ‘Rahoveci’.

    E palestra e Istogut e cila ka nisur të ndërtohet para 10 vitesh, në vitin 2007, ende nuk është përfunduar. Palestra filloi të nderohet në kohën kur Ministër i Kulturës ishte Skender Hyseni.

    Në dhjetor të vitit 2015, ministri Shala kishte vizituar punimet në këtë palestër, derisa ministria që drejtohet prej tij kishte ndarë edhe 200 mijë euro për përfudnimin e palestrës, e cila kishte filluar në vitin 2007.

    Ai kishte premtuar se punimet do të përfundonin në vitin 2016, por ajo palestër ende mbetet e papërfunduar.

    Gazeta Online Insajderi ka dërguar pyetje në Departamentin e Sportit të MKRS-së, por nuk ka gjetur përgjigje. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark