×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Molotov, dridhje sheshesh, gurë në kokat e policëve- Kosova digjej flakë nga Kurti i dikurshëm kundër Zajednicës

    Insajderi
    02 February 2023 - 16:19

    E nisën me aktivizëm qytetarë. Kundërshtonin çdo gjë që e cilësonin të dëmshme për vendin. Fillimisht si lëvizje që ishte tërhoqi vëmendje të madhe në publik. Protesta, bllokim rrugësh, akuza për hajni ndaj politikanëve, thirrje për rrëzim pushtetesh, janë disa nga veprimet që i karakterizionin. Në vitin 2010, Lëvizja Vetëvendosje u shndërrua në parti me Albin Kurtin lider. Përmes veprimeve të lartëcekura dhe premtimeve për ndryshim rrënjësor kjo parti ngadalë ia arriti qëllimit. 51 për qind e qytetarëve të Kosovës ia falën besimin. Albin Kurti është në krye të shtetit më të ri në Evropë.

    Janë bërë 15 vite prej kur kryeministri, Albin Kurti dikur opozitari më i zëshëm në Kosovë, kundërshtonte ashpër decentralizimin e komunave.

    Ende pa lindur Zajednica, në protestën e vitit 2007 kur Vetëvendosje po protestonte kundër Pakos së Ahtisarit, Kurti deklaronte se kjo pako mundësonte krijimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, këto komuna do t’i jepnin llogari direkte Beogradit.

    “Dojnë me na maru diçka ngjashëm si Republika Serbe brenda Kosovës, me na maru një kancer brenda që ka me kontrollu Serbia”, thoshte Kurti, shkruan Insajderi.

    Në këtë protestë mbetën të vdekur Arben Xheladini e Mon Balaj, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje nga policia rumune, ndërsa të plagosur ishin rreth 80 të tjerë. Policia kishte arrestuar me dhjetëra aktivistë që protestonin nën parullat “Decentralizimi është ndarje, ndarja është luftë”.

    Gjashtë vite më vonë në Bruksel pala kosovare dhe ajo serbe nënshkruan një marrëveshje ku përfshihej edhe Asociacioni i komunave serbe.

    Lëvizja Vetëvendosje filloi kritikat verbale kundër përkrahësve të kësaj marrëveshje. Që nga viti 2013 e tutje, nisën përsëri protestat e dhunshme.

    Nën parullat “Zajednica nuk kalon”, “Zajednica është kancer”, “O Republikë, o Zajednicë”, simpatizues të Vetëvendosjes mbushnin rrugët e kryeqytetit të Prishtinës, ndërkohë kërkonin largimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit, Hashim Thaçi.

    Më 9 janar të vitit 2016, Vetëvendosjes iu kishin bashkuar edhe partitë tjera opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

    Protesta ishte një ndër më të dhunshmet. Situata ishte përshkallëzuar. Protestuesit e dhunshëm gjuanin gaz lotsjellës, koktej molotovi e mjete të dhunshme në drejtim të kordonit policor e objektit të qeverisë. Në pamjet të cilat mund t’i shohim edhe sot, vërhen policë të përfshirë nga flakët, objekte të shkatërruara e sheshe të dëmtuara.

    Kauzat me të cilat erdhi në pushtet përfshirë edhe kundërshtimin për Asociacionin e komunave serbe, tashmë po mbeten vetëm pjesë e së kaluarës. Presioni ndërkombëtar i cili “nuk ekzistonte” arriti ta mposhtë Kurtin.

    Kurti pushtetar ka vendosur të dakordohet për krijim të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Edhe pse mbështetet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka hedhur poshtë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, Kurti po pretendon t’ia ndryshojë emrin.

    Në seancën e së enjtës së 2 shkurtit, Kurti prezentoi gjashtë kushte të cilat sipas tij mundësojnë  që Asociacioni i komunave me shumicë serbe i dakordësuar më 19 prill 2013, të konsiderohet.

    Deklarata e tij krijoi “hallakamë” në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e akuzuan Kurtin se ka shkelur të gjitha parimet e kauzat e tij, për të cilat kanë humbur jetën edhe tre ish-aktivistë të kësaj partie. /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark