16:44 - 12 Nëntor 2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë dalë nga selitë e forcave respektive politike dhe së bashku me mbështetësit e tyre, po marshojnë drejt Kryeministrisë, aty ku do të zhvillohet protesta kombëtare e opozitës.

Qindra qytetarë u mblodhën në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, ku pritën kryedemokratin Berisha.

Një pjesë e tyre, kanë ardhur nga degët e Partisë Demokratike nga rrethet.

“Të rritet mirëqenia, 100 mijë persona janë dërguar në Francë. T”u respektohet vota shqiptarëve. Nuk duan shqiptarët dhunë, por të drejta, demokraci dhe liri. Vij nga Tropoja, të votojë populli i lirë, nuk jemi për të djegur institucionet”, u shprehën disa nga protestuesit për Euronews Albania.

Ndërsa, Meta, gjatë marshimit drejt Kryeministrisë, u shpreh se protesta është nisur me synime paqësore dhe i bëri thirrje për mos provokim të protestuesve.

Për mbarëvajtjen e protestës, do të jenë në gatishmëri rreth 1000 efektivë policie, teksa disa akse rrugore do të jenë të mbyllura që prej orës 15:00.