Roma nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 me Venezian, skuadra e rënë tanimë nga elita e futbollit italian Serie A.
Ka qenë një ndeshje e dominuar tërësisht nga Giallorosët, por që fati ia ktheu shpinën në sfidën përballë Venezias.
Të besuarit e Jose Mourinhos kishin 46 tentime në gol, duke arritur t’i qëllonin edhe tri shtylla, por pa sukses.
Trajneri portugez, Jose Mourinho ka folur pas ndeshjes duke thënë se nuk ka vërejtje për futbollistët e tij, pasi kanë dhënë gjithçka nga vetja në këtë duel, por që fati ia ktheu shpinën.
“Skuadra dha gjithçka në fushë, pavarësisht se nuk fituam. Është e pamundur që të hyj në dhomat e zhveshjes dhe të gjej një vërejtje për ndonjërin prej djemve”.
“Dua të falënderoj tifozët, që e mbushën stadiumin në një mënyrë që e kanë zili edhe ekipet që shpallen kampionë. Ndoshta po krijojmë vërtetë diçka speciale, që na ndjekin kaq shumë”, tha portugezi.
Tutje Special One tha se ndeshjen finale ndaj Feyenoordit në Ligën e Konferencës duan ta fitojnë për tifozët e tyre të mrekullueshëm që gjithmonë e kanë mbushur stadiumin Olimpico këtë edicion.
“Në Tiranë duam të fitojmë për vete, por mbi të gjitha për këtë tifozeri të mrekullueshme. Kemi një ndeshje tjetër më parë, ku do të kërkojmë tre pikët dhe vetëm të shtunën do të nisim planifikimin e finales. Duam ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë dhe të konfirmojmë rritjen e skuadrës në aspektin e profesionalizmit”, tha Mourinho.