×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Muja ia gjen Berishajt shokun në PDK: Të krijohet komision për 4 milionë frangat e Akan Ismailit

    Insajderi
    19 January 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka folur sot në Kuvend për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.

    “Sa i përket z. Martin Berishaj dhe kompanisë të ashtuquajtur serbe GEN, ajo çfarë ne e dimë është që kompania e ashtuquajtur serbe GEN ka filluar të punoj në Kosovë në vitin 2008, kurse kontratat e fundit i kemi nënshkruar më 2020, dhe këto kontrata i ka nënshkruar Nijzai Thaçi, e ka pru PDK-ja GEN-in këtu”, ka thënë Muja para deputetëve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai madje çështjen e Berishajt e ka lidhur me një ish-ambasador të kohës së PDK-së.

    “Por, meqenëse po dufka edhe një komision hetimor për ambasadorët, unë propozoj që të kemi një komision hetimor për 4 milionë frangat e pa deklaruara nga ish ambasadori Akan Ismaili në kuadër të skandalit kredit Suisse ai ka qenë ambasador dhe nuk i ka deklaruar ato. Ta shohim a ka dicka aty”, ka thënë tutje Muja.

    Rrjeti i Gazetarëve: Akan Ismaili, ish-ambasadori në SHBA, mbajti sekret 3.9 miliona franga në “Credit Suisse”

    Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA kishte miliona franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në Credit Suisse, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, sipas të dhënave bankare të zbuluara.

    Ish manjati i telekomunikacionit Akan Ismaili u emërua ambasador në vitin 2012, katër vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia pas një lufte brutale në vitet e 90-ta dhe një periudhe tranzicioni të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara.

    Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në Credit Suisse, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-tës.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i tha Preportr dhe OCCRP-së se ka të ngjarë të jetë e vështirë të hetohen pasuritë e Ismailit në Zvicër.

    “Ne do të shikonim mundësitë për verifikim dhe hetim edhe pse verifikimi i gjendjes së llogarive bankare të mbajtura jashtë vendit është i vështirë, dhe shpesh rezulton pa sukses për shkak të legjislacionit të vendeve ku mbahen llogaritë bankare, u përgjigj Agjencia në një email.

    Ismaili nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara me email për koment.

    Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.

    Ismaili u hodh në sektorin e teknologjisë menjëherë pas bombardimeve që NATO i bëri caqeve të Serbisë në Serbi dhe Kosovë në vitin 1999, e që i dha fund luftës, duke bashkë themeluar Projektin jofitimprurës të Internetit në Kosovë (IPKO Fondation). Më pas ai kaloi në sektorin privat me IPKO Telecommunications, e cila u bë ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve, telefonisë celulare, internetit dhe televizionit kabllor në Kosovë.

    Preportr raportoi në vitin 2015 për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të gjetur asetet e mbajtura nga zyrtarët publikë jashtë vendit. Kreu i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në atë kohë u tha gazetarëve se “ka pasur një problem në zbatim” me vende si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje për të ndihmuar në gjurmimin e aseteve.

    Hulumtimi mbi këtë storie është siguruar nga OCCRP ID. Ekspertiza e të dhënave është siguruar nga Ekipi i të Dhënave i OCCRP-së. Kontrolli i fakteve u sigurua nga Zyra e Kontrollit të Fakteve e OCCRP-së.

    Kosovo’s Former Ambassador to U.S. Failed to Report Millions in Credit Suisse Account

    Gazeta Insajderi siguron komplet transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë komplet transaksionet bankare dhe ka zbuluar se kompania GEN gjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

    Martin Berishaj, diplomati i vetëm që ka fotografi nëpër banesa private me kryeministrin Albin Kurti, vazhdon të qëndrojë në pozitën e ambasadorit në Kroaci pavarësisht skandalit të madh financiar me kompaninë GEN.

    Kjo e fundit përgjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të diplomatit kosovar.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë komplet transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt, dhe ka zbuluar se saktësisht 1 milion e 470 mijë e 707 euro janë transferuar në llogarinë e MB Consulting nga kompania energjetike GEN.

    Kompania e Berishajt paratë e para nga GEN-i, dega në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.

    Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015, zbulon Gazeta Insajderi.

    Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN duket se kanë rënë pak, gjatë atij viti ai ka arkëtuar 262 mijë e 302 euro, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga GEN drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.

    Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2021. GEN gjatë atij viti ka transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë më 2022, janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.  

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark