×
  • Lajme
  • Insajderi

    Mungesa e kuorumit dështojnë të votohen 5 rezoluta nga interpelancat

    Insajderi
    27 November 2020 - 12:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje kanë dështuar të votohen 5 rezoluta nga interpelancat e kryeministrit dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës.

    Kuvendi ka dështuar që të votojë rezolutën nga raportimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë pikë kanë marrë pjesë në votim vetëm 30 deputetë, për çka nuk ka pasur kuorum në vendimmarrje.

    Për të njëjtën arsye ka dështuar votimi i rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

    Kanë dështuar të miratohen në mungesë të kuorumit në vendimmarrje edhe tri rezolutat nga interpelanca me kryeministrin e Kosovës.

    Propozim rezoluta nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ka marrë vetëm 29 vota për dhe nuk ka pasur vendimmarrje.

    Për të njëjtën arsye ka dështua edhe miratimi i rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, ku edhe për këtë kanë votuar vetëm 30 deputetë.

    29 vota për ka marrë edhe rezoluta nga Interpelanca me Kryeministrin të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Ka dështuar edhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”. Kjo pikë ka marrë vetëm 15 vota për.

    Me vetëm 33 vota për nuk ka pasur kuorum në vendimmarrje as për votimin e Projektligjit për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark