×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Murati nuk gjen kohë t’i kthej përgjigje BQK-së, por gjen mundësi t’i kundërpërgjigjet në anglisht Abdixhikut

    Insajderi
    24 March 2023 - 19:33

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka ftuar për raportim Komisionin Përzgjedhës për Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se përkundër e-maileve që u ka dërguar ministrit të Financave Hekuran Muratit dhe Auditores së Përgjithshme, Vlora Spancës nuk ka marrë përgjigje.

    Por, Murati që nuk ka gjetur kohë t’i përgjigjet Mehmetit, e ka gjetur atë që t’i kundërpërgjigjet kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pasi i fundit e ka kritikuar për mosemërimin e Bordit të Trustit. Madje në gjuhën angleze.

    “Tell me you know nothing about financial markets, without telling me you know nothing about financial markets, Lumir”, shkruan Murati, teksa i thotë “Lumir, google is your friend. Mund t’ia fillosh me këtë: “timing the market vs time in the market”.

    Shkrimi i plotë i tij:

    Tell me you know nothing about financial markets, without telling me you know nothing about financial markets, Lumir.

    Çmimi për njësi është 1.61 euro, dhe performanca e Trustit për vitin 2023 është -1.4%.

    Vitin e kaluar kur kishte bord, performanca e Trustit ishte -5.5%.

    Normalisht që nëse dikush e shikon në afatshkurtë, kështu siç po bën deputeti Abdixhiku, edhe mund të vijë në përfundim se, me bord performanca është gati 5-fish më e dobët sesa pa bord.

    Por çdokush që merr pak erë në këtë fushë e din se performanca në afatshkurtë është më tepër rezultat i luhatjeve në treg, sesa që është rezultat i vendimmarrjes apo mosvendimmarrjes së bordit.

    Sot e dëgjova edhe deputetin Hoti, bashkëpartiakun e Abdixhikut, teksa tha që po të kishte bord Trusti, ata do të vendosnin që ti tërheqin mjetet e investuara nga bankat që kanë falimentuar.

    Mirëpo me gjasë nuk e kishte njoftuar askush deputetin Hoti, e me gjasë as Abdixhikun, që vlera e aksioneve të një biznesi që falimenton në bursë (stock exchange) shkon në 0, dhe s’ka çka shitet aty. Pra, edhe me bord, nuk ka ndonjë vendimmarrje që do të ndryshonte diçka në një situatë të tillë.

    Qëllimi i fondeve pensionale si Trusti është që mjetet t’i investojë në mënyrë të diversifikuar, pra sa më të shpërndarë, dhe me horizont afatgjatë investimi me 10 vite+. Dhe luhatjet prej 1.4% sikur kjo për këta 3 muaj të këtij viti mund të ndodhin edhe në baza ditore, për shkak se ka luhatje në tregje finacniare, e jo sepse bordi ka marrë apo nuk ka marrë vendim.

    Aktualisht, Trusti ka mbi 580 milionë euro të investuara në Kosovë, pra 450 milionë euro në bono thesari të Kosovës dhe 130 milionë tjera në depozita bankare, ndërsa pjesa tjetër është e investuar në fonde investive ose edhe ETF (Exchange Traded Funds), të cilat kanë menaxherë të investimeve dhe përshtasin portfoliot investive (shesin e blejnë) në baza ditore.

    Prandaj, edhe pretendimi se mjetet e Trustit janë pa menaxhim, është i pavërtetë.

    Sipas drejtorit të Trustit, vetëm 2% e mjeteve janë të painvestuara aktualisht, gjë që është plotësisht normale për një fond pensional.

    Nga deputeti Abdixhiku, së paku kam pritur që ka më shumë njohuri për këtë fushë sesa garda e vjetër e ekonomistëve në LDK. Dhe së paku të kursente sulmet politike mbi një institucion siç është Trusti. Por kjo veç e konfirmon që as ky nuk dallon shumë nga “ekonomistët e LDK-së”.

    PS. Lumir, google is your friend. Mund t’ia fillosh me këtë:

    “timing the market vs time in the market”

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark