Vedat Muriqi është njëri nga kandidatët për sulmues të Galatasarayt për sezonin e ri, por kushtet e transferimit dhe paga e kërkuar thuhet se kanë minimizuar mundësinë e marrëveshjes.
Emri i sulmuesit të Kosovës ka qenë shumë i përfolur për një largim nga Lazio këtë verë, me Galatasarayn shumë të interesuar për ta rikthyer në Turqi.
Megjithatë, sipas gazetës turke Hurriyet, Lazio ka refuzuar ofertën e huazimit nga skuadra e madhe turke.
Duke refuzuar ofertën e huazimit, klubi italian ka deklaruar se futbollisti kosovar do të lejohet të transferohet vetëm përmes “shitjes”.
Në lajme thuhet se transferimi i Muriqit do t’i kushtojë 12 milionë euro secilës skuadër që e dëshiron.
Kërkesa e Muriqit për pagën vjetore
Muriqi, me të cilin trajneri Okan Buruk kishte punuar më parë me Caykur Rizespor, ka kërkuar gjithashtu një kontratë katërvjeçare me pagë 2.5 milionë euro në vit.
Kështu, Galatasaray është larguar nga tavolina e bisedimeve kur e ka kuptuar se kostoja totale pa taksa arrin në 22 milionë euro apo 382 milionë lira turke.
Sytë tani janë tek Eldor Shomurodov, me sulmuesin uzbek që synohet të merret në huazim nga Roma. /Telegrafi/