×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa braktis grupin e asamblistëve të PDK-së, akuzon Agim Aliun për keqpërdorime

    Insajderi
    31 October 2018 - 18:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Nehat Mustafa, është larguar nga grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Komunën e Ferizajt, pasi siç thotë ai nuk dëshiron që të identifikohet me keqqeverisjen që po bëhet nga kryetari i kësaj komune nga radhët e PDK-së, Agim Aliu,

    Mustafa thotë se gjatë kohës sa PDK-ja kishte qenë opozitë në këtë komunë kishte kritikuar ish-kryetarin Muharrem Svarqa për keqpërdorime dhe punësime partiake, dhe kur nuk kanë kaluar pothuajse asnjë vit, qindra veprime të tilla të paligjshme janë përsëritur nga kryetari i PDK-së.

    Ai thotë se shumë asamblist brenda Kuvendit Komunal në Ferizaj janë dijeni për këto keqpërdorime, megjithatë ata po vazhdojnë të heshtin.

    Mustafa nga sot do të veprojë si asamblist i pavarur brenda Kuvendit Komunal të Ferizajt.

    Nehat Mustafa kishte qenë edhe zëvendësministër i Arsimit nga radhët e PDK-së.

    Këto pakënaqësi të Mustafës me PDK-në, vijnë në kohën kur në Skenderaj, kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, ka konfirmuar se do të themelojë një parti të re.

    Në përkrahje i ka dalë edhe ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku.

    Reagimi i plotë:

    Nga sot veproj si Këshilltar i Pavarur në Kuvendin e Komunës së Ferizajt

    Sot, në Seancën e Kuvendit Komunal të Ferizajt gjatë fjalës sime bëra publik vendim tim që tani e tutje nuk do të jem pjesë e Grupit të Këshilltarëve të PDK në Kuvendin e Komunës së Ferizajt.

    De fakto, pjesë e këtij grupi nuk isha për më shumë se 8 muaj, duke shprehur kështu pakënaqësit e mija me menyrën e qeverisjes komunale. Kam pritur që do ketë reflektim nga strukturat e degës , por kjo nuk ndodhi.

    Prandaj, duke mos dashur të identifikohem me keqqeverisjen komunale, sot njoftova Kryesuesen e KK të Ferizajt që edhe De jure nuk do jem më pjesë e GK të PDK në KK të Ferizajt.

    Janë të shumta arsyet e marrjes së një vendimi të tillë, mbase për këto do flas ndonjë herë tjetër. Ndërsa , në fjalën time të sotme ( të cilën mund ta gjeni edhe në Tv Tema) si agument përmenda keqpërdorimet e vazhdueshme në punësime. Pra, ne si opozitë dikur kritikonim kepërdorimet e qeverisjes së Z.Sfarqa lidhur me punësimet e paligjëshme përmes Kontratave në Vepër. Dhe pa kaluar as një vit, janë qindra e qindra punësime po me Kontrata në Veper nga qeverisja e tanishme.

    Ironike është bartja e fanelave nga zyrtarët komunal me moton që tregojnë se punësimi është një e drejtë…, dhe po këta harrojnë me vetëdije se punësimet pa konkurs në të njejtën kohë janë shkelje e së drejtës së atyre që duan të bëhen pjesë e konkurimit për punësim. Kjo është Hipokrizi të cilës duhet ti themi MJAFT!

    E keqja më e madhe në tërë këtë proces është heshtja dhe përfshirja e shumë këshilltarëve komunal në këto procese.

    Pra , shumë këshilltarë nga pozita heshtin për arsye se janë bërë pjesë e këtyre pazareve, qoftë me punësime të familjarëve me e pa konkurse, emërime në borde, shfrytëzim e uzurpim të hapësirave publike, favorizim biznesesh , apo edhe lejim ndërtimesh pa plotësuar kriteret.

    Të dashur miq!

    Ju falenderoj për përkrahjen e vazhdueshme që keni treguar ndaj qëndrimeve të drejta e në interes të qytetarëve që kam mbajtur gjatë këtyre 10 muajve në në KK. Tani e tutje në Kuvendin e Komunës do veproj si i pavarur. Premtoj që do vazhdoj ti mbrojë interesat e qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Së shpejti do fillojmë me vizita në teren ku për së afêrmi do njihemi me problemet dhe hallet e qytetarëve.

    Respekte,

    Nehat Mustafa

    Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/mustafa-braktis-grupin-e-asamblisteve-te-pdk-se-akuzon-kryetarin-e-ferizajt-per-keqperdorime-te-shumta-590867/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark