×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Mustafa: Shqiptarët po përndiqen politikisht në Luginë për shkak të flamurit kombëtar

    Insajderi
    02 March 2021 - 20:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presionet politike dhe juridike të Qeverisë në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi janë duke u rritur çdo ditë e më shumë, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa.

    Mustafa ka publikuar në Tëitter se ka marrë ftesën për një seancë dëgjimore në Gjykatën për Kundërvajtje në Vranjë, e caktuar për datën 25 mars dhe se ai është akuzuar për shkelje të Ligjit për flamurin e Serbisë – më saktësisht, sipas nenit që ndalon shfaqjen e një flamuri të një shteti të huaj, në qoftë se krahas tij nuk qëndron edhe flamuri i Serbisë.

    Duke sqaruar arsyen e ftesës nga gjykata për kundërvajtje, Mustafa thotë që më 28 nëntor të vitit 2020, ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, në Ditën e Flamurit Shqiptar (festë shtetërore e pavarësisë së Shqipërisë), është shfaqur flamuri shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.

    “Ne e kemi vendimin e Këshillit Kombëtar që flamuri i shqiptarëve në Serbi është ai që ne e shfaqim çdo vit, do të thotë, çdo 28 nëntor, në ndërtesën e Këshillit Kombëtar”, tha Mustafa.

    Ai konsideron se nuk e ka shkelur Ligjin për flamurin dhe stemën e Serbisë, ndërkaq në pyetjen se pse mendon kështu, ai ka theksuar:

    “Ne e kemi shfaqur flamurin kombëtar të shqiptarëve. E kemi vendimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar se ai është flamuri i shqiptarëve në Serbi. Gjithashtu, më duhet të theksoj që i njëjti flamur është edhe flamuri i Republikës së Shqipërisë. Por, gjithsesi, në rast se e shihni në kuptimin ligjor, ju keni hotele dhe se di, se sa kompani tjera që kanë të shfaqura më shumë flamuj, flamuj të botës që mund t’i shfaqin. Ajo që është e kontestueshme është përndjekja e motivuar politikisht përmes atij ligji, gjegjësisht, përmes atij neni të ligjit”, theksoi Mustafa.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark