×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ndalojnë punimet në Leposaviq për ndërtimin e Stacionit të Policisë Kufitare, flet Policia e Kosovës për Insajderin

    Insajderi
    03 February 2023 - 14:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Punimet për ndërtimin e një stacioni policor kufitar në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit kanë ndaluar qe dy ditë, tha nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një përgjigje për Insjaderin.

    Policia e Kosovës shpjegon se janë të pranishëm në atë zonë, por se kompania që po  zhvillonte punimet nuk i ka vazhduar tash e dy ditë. Arsyen se pse janë ndaluar punimet, megjithatë Elshani nuk e ka.

    “Protesta ka pas, punimet qe dy ditë nuk janë duke u zhvilluar, dje edhe sot. Pardje kemi punuar. Diçka tjetër nuk ka”.

    Pyetur se a ka të bëjë rezistenca e banorëve lokalë, Elshani e mohon një gjë të tillë. “Jo jo veç punëtorët. Na jemi aty. Kompania nuk është duke i zhvilluar punimet”.

    “Nuk është puna e rezistencës qytetarëve”, tha ai për Insajderin.

    Ndërkaq deri në publikimin e këtij shkrimi, Insajderi nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, se cila është arsyeja e ndalimit të punimeve, por edhe rreth asaj se a janë kryer shpronësimet siç është urdhëruar me vendim qeveritar më 16 janar, 2023.

    Ditë më parë, një grup relativisht i pakët banorësh lokalë provuan të bllokojnë rrugën ku po zhvilloheshin punimet, konkretisht magjiustralen e Leposaviqit që çon në drejtim të fshatrave Zasellë dhe Leshak.

    Të enjten, Bashkimi Evropian tha se po i përcjellin me shqetësim aktivitetet e ndërtimit të cilat po zhvillohen në zonat kadastrale Dren dhe Leshak.

    “Është e rëndësishme të theksohet se procesi i shpronësimit, sipas ligjit të Kosovës, kërkon një periudhë për konsultim publik dhe mundësinë për qytetarët e prekur që të kundërshtojnë çdo vendim për shpronësim në gjykata përpara se çdo vendim për shpronësim të bëhet final”, ka thënë zëdhënësi i zyrës së BE’së në Kosovë, Nikola Gaon.

    ”BE-ja i kërkon qeverisë së Kosovës që të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar që të ndiqet procesi i duhur dhe se të drejtat e pronarëve të pronave të respektohen plotësisht”, është shprehur Gaon në një përgjigje për Kosovapress.

    Të enjten Insajderi raportoi se në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit kanë nisur punimet për ndërtimin e stacionit të policisë kufitare, siç edhe e konfirmuan Policia e Kosovës.

    Punimet nisën në zonën katasdrale Dren dhe Leshak, zonë kjo e cila me vendim qeveritar u shtetëzua si zonë e interesit të veçantë publik për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interesin Publik”, aty do të ndërtohet stacion i policisë kufitare.

    Veton Elshani i cili është edhe koordinator i këtij aksioni, ditë më parë tha se pas vendimit të qeverisë kosovare, aty ishin për ta zbatuar atë.

    “Ky do të jetë stacion i policisë kufitare, sot biseduam me banorët dhe u thamë atë që dinim. Ata ankohen se një pjesë e varrezave ortodokse është përfshirë në vendimin e shpronësimit, por ky është një gabim teknik dhe gjatë punimeve do të shohim se çfarë mund të bëjmë le të bëjmë për këtë”, tha Elshani.

    Me t’u marrë ky vendim, mediat serbe që operojnë në Kosovë, nisën “shqetësimet” e tyre se për “mungesën e informacionit se çfarë do të ndërtohej në këtë kodër”, shkruan Insajderi.

    Shpronësimi është planifikuar për shtatë parcela në zonën kadastrale Dren. Prej tyre thuhet se pronar për një është Komuna e Leposaviqit, dhe për katër është pronë shoqërore, gjegjësisht se pronari është kompani dhe dy janë në pronësi të personit DJ.

    Për gjashtë nga shtatë parcelat jepen informacione për sipërfaqen. Është gjithsej 395977 metra katrorë, pra më shumë se 39 hektarë.

    Për zonën kadastrale Leshak thuhet se janë duke u shpronësuar 13 parcela. Nga ky numër, dy janë gjithashtu në pronësi të një kompanie, dhe 11 të tjerat figurojnë si individë, ndërsa për parcelat individuale janë disa bashkëpronarë. Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave është 427.533, pra më shumë se 42 hektarë.

    Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave e kalon sipërfaqen prej 80 hektarësh dhe sipas një imazhi satelitor të publikuar nga mediat serbe.

    Kundërshtimi i Listës Serbe

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i është drejtuar ambasadorëve të shteteve të QUINT’it, misioneve të BE’së, UNMIK’ut, OSBE’së dhe Komandatit të KFOR’it, kundër ndërtimit të stacionit të policës kufitare në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit, raporton Insajderi.

    Rakiq e quajti “shpronësim të paligjshëm” në letrën e tij drejtuar ndërkombëtarëve, siç shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

    “Letra qartësisht tregon të gjtha shkeljet e rregullimeve ligjore për çështjet e shpronësimit, dhe kjo procedurë është e papranueshme për pronarët dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës, dhe këto lëvizje të njëanshme kuptohen si dhunë institucionale dhe kindapim i tokave serbe”, ka shkruar Rakiq.

    Rakiq u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të ndikojnë në ndalimin e punimeve në këto pjesë.

    Ndërkaq, në ato pjesë të punimeve ka dalë edhe i ashtuquajturi kryetar i përkohshëm i Leposaviqit, Zoran Todiq.

    “Ka 15 ditë nga ky vendim i kundërligjshëm për shpronësimin e tokave në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, për të cilin sot mësuam qëllimet për të cilat është bërë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një baze të Policisë së Kosovës”.

    “Sot ka qenë edhe një lëvizje e njëanshme, për të cilën askush nuk na ka njoftuar, janë të pranishme makineritë e rënda të ndërtimit, këta persona që kryejnë punën janë siguruar nga pjesëtarët e njësive speciale të policisë të armatosur deri në dhëmbë. Jam i shqetësuar, i inatosur dhe sot kjo nuk është në favorin e askujt sepse nuk na duhen tensione të reja. Por populli është i vendosur të mos lejojë sekuestrimin e tokave dhe trashëgimisë”, ka thënë ai.

    “Askush nuk është rehat me një njësi policore thjesht shqiptare që qëndron këtu dhe situata është me të vërtetë e vështirë. Ne takuam drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, dhe kemi informacione se për këtë është njoftuar dhe i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak. Përkundër protestave të vendasve, ata vazhdojnë të kryejnë punime”.

    “Sot po punohet për zgjerimin e rrugës që të çon në këtë truall me 83 hektarë sipërfaqe, 13 prej të cilave janë në pronësi të banorëve të fshatit Dren. Gjashtë parcela janë në pronësi shoqërore, ndërsa një parcelë është komunale, në të cilën ka varreza lokale. Në bisedë me nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Veton Elshani, kemi përcjellë se banorët e zonës kërkojnë që të ndërpriten të gjitha punimet sepse nuk pranojnë sekuestrimin e pasurisë”, tha Todiq.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    24 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark