×
  • Sport
  • Insajderi / Ballina 5

    Ndryshon formati i Evropianit dhe Botërorit/ Rriten gjasat e Kosovës për kualifikim

    Insajderi
    30 January 2023 - 09:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh dje në Nion të Zvicrës dhe ka vendosur të bëjë disa ndryshime drastike sa i përket ndeshjeve të kombëtareve, ose më saktësisht formatit të kualifikueseve.

    Komiteti Ekzekutiv ka miratuar që të bëhen ndryshime, duke u modifikuar formatet aktuale të kualifikueseve të Europianit dhe Botërorit. Këto skema të reja do të hyjnë në fuqi pas “EURO 2024”, që zhvillohet në Gjermani. Kështu duke nisur nga kualifikueset e Botërorit 2026, do të aplikohet një format i ri që do t’i çojë këto skuadra drejt finaleve të turneut.

    Por si ndryshon formati për Botërorin e ardhshëm dhe për Europianin e 2028-ës. Patjetër që ky format do të jetë më i konsoliduar, me 12 grupe tashmë me katër dhe pesë skuadra, për të rigjallëruar më shumë këtë kompeticion dhe duke dhuruar më shumë garë në të gjitha nivelet. Një format që i vjen në ndihmë edhe Kosovës dhe Shqipërisë, pasi në një grup me katër skuadra, jo domosdoshmërish duhet të jetë një Kombëtare e fortë.

    Kështu sa i përket rrugës për të marrë pjesë në kompeticion, fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e kampionatit europian ose atij botëror, ndërsa skuadrat e vendit të dytë ose do të kualifikohen në mënyrë direkte ose do të marrin pjesë në ndeshjet e “play off”-it (së bashku me ekipet e Ligës së Kombeve për t’u kualifikuar në finalet e kampionatit europian).

    Kampionati botëror që do të zhvillohet në tri shtete, Amerikë, Kanada dhe Meksikë do të vijë me një ndryshim që gjithashtu i vjen në ndihmë Shqipërisë. Nga 32 skuadra numri i pjesëmarrësve do të jetë 48, duke e shtuar me tri numrin e kombëtareve nga Europa (16 ekipe në total nga 13 që kualifikoheshin).

    Dhjetë grupe të ndara me katër ose pesë ekipe, ku vendet e para mund të kualifikohen direkt dhe vendet e dyta ose direkt ose nëpërmjet “play off”-it që vjen nga Liga e Kombeve.

    Kjo do të vlejë pas Europianit të vitit tjetër dhe do të aplikohet në çdo kualifikuese në vazhdim. Ajo që ka mbetur për t’u zbardhur dhe do të bëhet më vonë, është skema e ndarjes së vazove dhe shortit për këto kualifikuese.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark