Problemet financiare tek klubi futbollistik i Drenicës nuk kanë fund! Kësaj radhe klubi ia “sheh sherrin” borxheve ndaj futbollistëve.
Klubi i Drenicës ka probleme të mëdha me ish-futbollistët të cilët kanë hapur rastet ndaj klubit edhe në FIFA, për shkak të obligimeve që kanë ndaj tyre.
Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, në një prononcim për Insajderin ka zbuluar se tashmë ligjërisht klubi është bllokuar nga FIFA, dhe se nuk do të mund të bëjnë transferime.
“Kur kena ardhë në fillim ka qenë një situatë shumë e rëndume për faktin se klubi ka trashëguar shumë borxhe, ka pas probleme me rroga, kemi tentu me stabilize aspektin financiar, sigurisht me ndihmën e shumë njerëzve që na kanë mbështetë. E vërteta është se borxhet që janë shmang kanë qenë kryesisht për lojtarët që janë aktiv që luajnë tek klubi edhe një pjesë e madhe që klubi i ka trashëgu e që na tash po merermi me këtë formë me sistemu qysh të mujmë.
“Kemi shumë probleme, situatën për të cilën po flasim, ka pasë një grup lojtarësh që kanë luajtur tek klubi në periudhën janar deri në korrik 2021, ata e kanë çu klubin në FIFA, dhe për momentin që flasim ka tri ose katër landë nashta edhe më shumë, që lojtarët kanë fitu, në aspektin ligjor klubi është i bllokuar, transferimet për vitin e ardhshëm janë të bllokuara.
“Janë kryesisht lojtarë që kanë qenë në periudhën janar- korrik 2021″– ka thënë Dajaku për Insajderin.
Ndër tjerash, Dajaku ka zbuluar edhe shifrën e borxhit që u detyrohen futbollistëve.
“Borxhi ndaj lojtarëve përafërsisht kap shifrën 110 mijë eurove”
Kryesia e klubit të Drenicës dha dorëheqje 6 muaj më parë, kjo për shkak të gjendjes së rëndë financiare – duke e lënë klubin me probleme të shumta.
Me ardhjen e Znj.Kodra – Bekteshi u paguan edhe 7 paga, derisa siç bën të ditur Dajaku, të tjerat paga priten të paguhen shpejt.
“Kemi arritë me i pagu rrogat e janarit, shkurtit dhe marsit, së shpejti do të dal edhe rroga e prillit dhe sigurisht edhe majit”.
Insporti kishte raportuar gjatë gjithë kohës për problemet financiare të klubit drenicas. Në dhjetor të vitit që lam pas, Lushtaku e konfirmoi për Insportin se klubi i Drenicës do të bëhej me pronar të rinj, ku 85% e tyre do të ishin aksionar nga jashtë vendi, më saktë nga Zvicra dhe Gjermania, por megjithatë, marrëveshja kishte dështuar.
Ndryshe, në ndeshjen e fundit ndaj Malishevës, Drenica barazoi pa gola, dhe vazhdon luftën për t’i ikur barazhit, ku ktualisht gjendet në vendin e tetë me 44 pikë. Derisa nesër takohet me kampionët e këtij sezoni, Ballkanin.
/Insajderi.org