×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Në lagjen luksoze ku kanë shtëpi Liburn Aliu e Vjosa Osmani tatimi më lirë se në Matiqan e lagje tjera

    Insajderi
    25 January 2023 - 21:56
    aliu-osmani
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një prej çështjeve më të diskutuara ditëve të fundit në vend, ka qenë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave, i cili ka bërë ë të të rritej fatura e tatimit në pronë. Derisa shumë qytetarë janë të shqetësuar që edhe më shumë para do të dalin nga xhepi i tyre, banorët e lagjes pasanike “Marigona Hill” mund të flenë rehat. Çmimi i tatimit në pronë për ta është më i ulët se sa i dhjetëra lagjeve dhe katundeve të Prishtinës.

    Marigona Hill, një prej lagjeve të njohura tashmë për opinionin publik, gjendet në Hajvali.

    E konsideruar si një prej hapësirave më luksoze në kryeqytet, që është në ndërtim e sipër, ky vend është bëhet shtëpi e shumë politikanëve, duke përfshirë edhe disave që janë në pushtet.

    Banorët e Marigona Hill do të pagujnë tatim më pak?

    Sipas një liste me zonat në kryeqytet, dhe tatimit që paguhet në pronë (për shtëpi, apartament garazh apo objekt tjetër), shihet se qytetarët që jetojnë në këtë zonë do të paguajnë ndjeshëm më pak.

    Sipas zonës 1927, ku edhe ndodhet Marigona Hill, ata që posedojnë shtëpi familjare do të paguajnë 350 euro tatim (për metër katror), për apartament do të paguhet 400 euro tatim dhe për garazh 140 euro.

    Çmime më të larta e drastikisht më të larta do të kenë banorët e lagjeve tjera, që mund të jenë drastikisht më të varfër se banorët e Marigona Hill. Ta zëmë, në lagjen Pejton dhe në Qendër për shtëpi familjare do të paguhet tatim në pronë në vlerë prej 1000 eurove, ose 750 euro më shumë se në lagjen luksoze.

    800 euro për shtëpi familjare do të paguhet në Ulpianë, Dardani, Lakrishte e Lagje të Muhaxherëve.

    Për më tepër, edhe në fshatrat Zllatar e Matiqan tatimi në pronë do të jetë më i shtrenjtë se në Marigona Hill.

    Në listën e mëposhtme, mund të shihni se më pak do të paguhet vetëm në disa vendbanime tjera, përfshirë Kolovicën, Kodrën e Trimave, e fshatrat si Mramor, Llukar, Makoc, Marec etj.

    Në Taslixhe, aty ku banon kryeministri Kurti tatimi në pronë do të jetë 380 euro për shtëpi familjare.

    Sa paguhej më herët?

    Sipas vlerësimit të vitit 2019 dhe të dhënave që ndodhen në faqen zyrtare “Tatimi në pronë” e cila menaxhohet nga ministria e Financave, qytetarët që posedojnë banesa në Hajvali, ku ndodhet edhe Marigona Hill, kanë paguar 425 euro.

    Ndërkohë, të njëjtit, për shtëpi kanë paguar 375 euro, ndërsa për garazh 110 euro.

    Kush ka shtëpi në Marigona Hill?

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shtëpi në Marigona Hill. Siç kishte raportuar Nacionale kohë më parë, ky kishte thënë se çmimin e shtëpisë nuk e di, por se do ta shesë më pasë.

    Me kompaninë “Marigona Hill”, Aliu pretendohej se ka lidhur parakontratë për blerje të banesës me vlerë prej 103 mijë eurove më 19 tetor 2020 dhe të cilën ka afat që ta paguajë deri në dhjetorin e vitit 2023.

    Banesa në Marigona Hill është 90.48 metra katrorë derisa terasa është edhe 21.26 metra, çka e bën çmimin e saj mjaft të leverdisshëm për ministrin nga Vetëvendosje. Aliu sipas të dhënave në Agjencinë Kundër Korrupsion, thotë t’i ketë borxh kësaj kompanie edhe 83 mijë euro.

    Ndërkohë, shtëpi në këtë lagje ka edhe presidentja Vjosa Osmani, për pagesën e të cilës, ajo sipas deklarimit të pasurisë, i ka 87 mijë e 900 euro borxh.

    Të njëjtën, Osmani e ka në pronësi me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.

    Vlen të theksohet, se ishte raportuar se edhe politikanë të tjerë nga parti të ndryshme politike në vend, kanë shtëpi në këtë lagje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark