×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Në pikë të natës Kurti ringjalli Asociacionin dy ditë pasi e varrosi Gërvalla

    Insajderi
    26 January 2023 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Konsistenca në Qeverinë Kurti II del të jetë një lluks i madh. Para as 48 orëve zv/kryeministrja dhe kryediplomatja Donika Gërvalla duke folur për transmetuesin publik estonez “ERR” e shpalli të vdekur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ndërsa shefi i saj – kryeministri i vendit – Abin Kurti e ringjalli në pikë të natës së mbrëmshme, shkruan Insajderi.

    “Beogradi flet për këtë Asociacion, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet”, tha Donika Gërvalla duke u thirrur në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 si “vdekja” përfundimtare e kësaj marrëveshje.

    “Duke folur me partnerët dhe aleatët tanë, dëgjojmë se kjo duhet të jetë një lloj formacioni që u jep të drejta komunitetit serb, por unë nuk shoh ndonjë të drejtë që atyre nuk ua garanton Kushtetuta jonë”, u shpreh ajo.

    Ndërkaq, pa u bërë as dy ditë nga kjo deklaratë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkërisht me zëvendësin e tij Besnik Bislimin, takuan Ndërmjetësin e BE’së për dialog, Miroslav Lajçak, ku u pajtuan, siç lajmëroi ky i fundit, se “të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen”.

    Te këto marrëveshje, në rend të parë futet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo e shumëkontestuar në rend të parë nga Albin Kurti.

    Asociacioni është kthyer në parakusht të planit evropian për normalizim të marrëdhënieve, ku ShBA dhe BE, kanë lënë të kuptojnë se pa zbatimin e saj nuk do të mund të vazhdohet me planin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kujtojmë se një mospërputhje e tillë në deklarime ishte edhe mbi vetë planin franko-gjerman, ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaronte se ai plan ishte më i mirë dhe më në favor të Serbisë ndërsa Kurti deklaronte se ishte bazë e mirë e negociatave./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark