×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Në Prishtinë “përqafime”, në Beograd “cakërrim gotash” – Greqia nuk lëviz drejt njohjes së Kosovës

    Insajderi
    28 March 2023 - 20:43

    Me gjithë përqafimet e me gjithë darkimet në periferi të Prishtinës të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, njohja nga shteti grek s’duket gjëkundi në horizont, e madje edhe aq sa paramendohej se kjo gjë mund të ndodhte u avullua nga deklarimet në Beograd të presidentes greke Katerina Sakellaropoulou se qëndrimi i Greqisë karshi Kosovës mbetet i njëjtë – “nuk ka njohje” – shkruan Insajderi.

    Pas pritjes ceremoniale me nderimet shtetërore më të larta që iu bënë kësaj të fundës në Beograd nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, asaj iu shtrua edhe një darkë në kryeqytetin serb. Në fotografitë e publikuara nga Vuçiq, dy presidentët paraqiten duke cakërruar gotat për miqësinë ndërshtetërore mes tyre.

    Në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë emri Kosovë vazhdon të shënohet pashkëputshëm me asterisk (Kosovo*) që i qëndron varur përmbi për “të mos ia paragjykuar statusin”. Aty shpjegohet menjëherë se Greqia është njëra prej pesëshes së Bashkimit Evropian që nuk e njeh “pavarësinë e shpallur njëanshëm” të Kosovës nga Serbia më 17 shkurt 2008, shkruan Insajderi.

    Fusnota që Kosovës ia shënon “mosparagjykimin” përmban poshtë Rezolutën 12/44 bashkërisht me verdiktit e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës në asnjë mënyrë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

    Greqia kaherë ka qëndruar ambivalente, në atë se qëndrimin e saj do ta mbajë në linjë me këtë edhe/edhe, edhe Rezolutë 12/44 edhe konfirmim të pavarësisë nga GJND-ja.

    Hiç më larg se dje e sot, Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, u shpreh për gazetën serbe se sa i përket qëndrimit të Athinës ndaj Kosovës “ajo mbetet e pandryshuar”.

    “Qëndrimi i Greqisë, njëra nga disa vendet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës, mbetet i njëjtë. Në të njëjtën kohë, përveç qëndrimit të mirënjohur ndaj statusit të Kosovës dhe politikës së saj ndaj Ballkanit Perëndimor […]”.

    “[…] Greqia ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në lidhje me Kosovën, e cila synon të fuqizojë stabilitetin dhe sigurinë, si dhe një lëvizje të përgjithshme drejt integrimit të BE-së për tërë rajonin, që është qëllim i yni strategjik”, ka thënë ajo, përcjell Insajderi.

    Pyetur se a qëndron “e palëkundur” Athina në raport me mosnjohjen e Kosovës, presidentja greke e përsërit veten. “Siç thash më herët, qëndrimi i Gerqisë rreth Kosovës mbetet i pandryshuar. Politika jonë konstruktive ndaj Kosovës është në vijë me këtë qëndrim”.

    Por kjo përgjigje “shabllon” e presidentes greke lexohet si të jetë copy/paste e marrë nga uebsajti zyrtar i ministrisë greke të jashtme. E para e vendit s’thotë asgjë më shumë se ç’është thënë kaherë.

    Megjithëkëtë, veçanërisht këtë vit dhe atë të kaluarin, vizitat frekuente të ministrit grek të jashtëm në Prishtinë ishin më të shpeshta se ndonjëherë më parë. Kjo gjerësisht lexohej si parapërgatitje për njohje formale nga shteti grek. Madje, spekulohej, se njohja do të ishte vetëm çështje kohe, veçanërisht në dritën e Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel dhe  mëpastaj për shtojcën e zbatimit në Ohër.

    Nikos Dendias në Prishtinë vinte me plot përqafime në çdo takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku madje darkonin edhe privatisht në periferi të Prishtinës. Ky afrim i paprecedentë i shtetit grek, interpretohej fare lehtë si një afrim njohjeje.

    Tashmë që Marrëveshja Bazë mes Kosovës dhe Serbisë është arritur dhe është ngritur në nivel të një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të detyrueshme, pozicioni grek nuk u shfaq të ketë lëvizur.

    Greqia gjer më tash Kosovës ia ka dhënë një mbështetje të paeukivok. Atë për liberalizimin e vizave në zonën Schengen për shtetasit kosovarë, mbështetje të cilën e kanë edhe hapur të shprehur në uebsajtin e tyre zyrtar.

    “Greqia, një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës (17.02.2008), po ndjek një qasje konstruktive politike ndaj saj, si pjesë e angazhimit tonë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe promovimit të zhvillimit në juglindje. Evropë. Përpjekja jonë e vazhdueshme është edhe përmirësimi i kushteve të jetesës, mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës. Në këtë kontekst, Greqia është pro liberalizimit të vizave ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke pasur parasysh përmbushjen nga kjo të fundit të kushteve përkatëse, sipas Raportit të Komisionit të BE-së (2018)”, thuhet në uebsajt./Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark