Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka emëruar në pozitën anëtarës se Këshillit drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Valbona Puka-Gola e cila është nëna e këshilltarës politike të Nagavcit Arrita Golës. Por, në një prononcim për Gazetën Insajderi kjo e fundit e cila është edhe pjesë e kabinetit të Ministrës tha së ishte lëshim teknik dhe së nëna e saj nuk do të jetë pjesë e Universitetit të Gjakovës.
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin në të cilin thuhet se Valbona Puka-Gola është emëruar nga Ministrja e Arsimit.
Edhe në web-faqën zyrtare të MASHT figuron emri i Arrita Pukës të cilës ju punësua nëna.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me këshilltarën e Nagavcit ajo tha se nuk ka qënë në dijeni të një vendimi të tillë dhe e quajti gabim Teknik.
“Une nuk kam qene e informuar per kete vendim (e kuptova nga mesazhi juaj). Kontaktova edhe me kabinetin dhe me njoftuan se eshte bere leshim teknik ne citimin e emrave. Ju lutem, cfaredo vendimi te leshuar konsideroni si te pavlefshem, sepse nena ime nuk eshte pjese e KD te Universitetit te Gjakoves”, tha ajo.
Tutje Gola shtoj se ky vendim nuk vlen dhe do të korigjohet.
“Nena ime nuk eshte njoftuar per ndonje propozim te mundshem, e as nuk eshte njoftuar per ndonje vendim te tille, as permes telefonit e as permes kanaleve zyrtare te komunikimit, sic do te duhej sipas ligjit per proceduren e pergjithshme administrative. Prandaj vendimi nuk vlen dhe do te korrigjohet”, tha ajo për Insajderin.
Kjo nuk është hera e parë që përmendet emri i ministrës Arbërie Nagavci për nepotizëm. Ajo në prill ka përzgjedhur dhe rekomanduar për bursa studimi në universitete të huaja disa militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe djalin e deputetes të kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.