×
  • Sport
  • Sport

    Nesër hidhet shorti për kualifikimet e Euro 2024, ja procedurat që duhet t’i dini

    Insajderi
    08 October 2022 - 14:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kosova do t’i njohë këtë diel  kundërshtarët që do të ketë përballë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, me shortin që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë dhe do të nisë në ora 12:00.

    Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, dhe për këtë arsye nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore.

    53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J.

    Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.

    Faza finale e Europianit, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, do të zhvillohet nga 14 qershor deri më 14 korrik 2024 në Gjermani.

    Kosova është e pozicionuar në vazon e katërt.

    Katër finalistët e UEFA Nations League e më konkretisht Holanda, Kroacia, Spanja dhe Italia, do të luajnë ndeshjet finale të këtij kompeticioni në qershor 2023. Si pasojë, këto skuadra kanë vetëm tetë ditë ndeshjesh në dispozicion për fazën e grupeve të eliminatoreve dhe duhet të pozicionohen në grupe me pesë skuadra në këtë short.

    Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s këto skuadra nuk mund të shortohen në të njëjtin grup: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë, Kosovë/Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë/Serbi. /Lajmi.net/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark