20:41 - 25 Nëntor 2021

Ditën e nesërme, Shqipëria dhe Kosova do të firmosin 16 marrëveshje të tjera, prej të cilave kanë në fokus lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Pritet që të lehtësohen procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, njohjen e sigurimeve shoqërorëve si dhe njehsimi i diplomave.

Ndonëse nuk bien dakord për shumë çështje, kryeministri Edi Rama me homologun nga Kosova, Albin Kurti do të shtrëngojnë sërish duart.

16 marrëveshje të reja do të nënshkruhen të premten, nga të cilat 4 prej tyre do të dakordësohen ndërmjet institucioneve shtetërore.

-Marrëveshja mes Ministrive të Arsimit për një procedurë shumë specifike që lidhet me njohjen e ndërsjelltë të diplomave.

-Lëvizja e qytetarëve dhe e mjeteve mes dy shteteve pritet të lehtësohet me një tjetër pikë doganore, përveç asaj të Morinës dhe Tropojës.

-Në pikën e kalimit të Shishtavecit në Kukës dhe Dragashit në një pikë kalimi kufitar të mirëfilltë.

-Kryeministrat kanë vendosur për krijimin e një Sekretariati të përbashkët që do të ketë fokus kryesor ndjekjen, monitorimin dhe raportimin e problematikave.

Në orën 9:30 pritet mbërritja e delegacionit kosovar, ndërsa në 11:30 Edi Rama dhe Albin Kurti do të flasin para gazetarëve mbi marrëveshjet e firmosura.